Trumpi padit Departamentin e Drejtësisë për bastisjen në shtëpinë e tij
Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, i ka kërkuar një gjyqtari të ngrijë hetimin e Departamentit të Drejtësisë për dosjet e sekuestruara nga shtëpia e tij në Mar-a-Lago të Floridas.
Në një padi, ekipi i tij ligjor kërkoi që të caktohej një avokat i pavarur për të mbikëqyrur dokumentet që agjentët e FBI-së i morën në fillim të këtij muaji, raportoi BBC të martën.
Njëmbëdhjetë grupe dosjesh të klasifikuara u morën nga shtëpia e Trumpit në Florida më 8 gusht, sipas FBI-së.
Trumpi po hetohet për keqpërdorim të mundshëm të dokumenteve.
Presidentët amerikanë duhet t’i transferojnë të gjitha dokumentet dhe emailet e tyre në një agjenci qeveritare të quajtur Arkivi Kombëtar – dhe FBI-ja po heton nëse Trumpi i ka trajtuar në mënyrë të pahijshme të dhënat duke i çuar ato nga Shtëpia e Bardhë në Mar-a-Lago, pasi u largua nga detyra në janar të vitit 2021.
Ai ka mohuar çdo keqbërje duke thënë se sendet ishin të deklasifikuara.
Në dokumentin prej 27 faqesh të depozituar në një gjykatë në Florida, ekipi ligjor i Trumpit akuzon kërkimin e Departamentit të Drejtësisë me deklaratën se “thjesht duan hundën e devesë nën tendë, në mënyrë që ata të mund të kërkojnë dokumente të dobishme politikisht ose të mbështesin përpjekjet për të penguar presidentin Trump të kandidojë përsëri”.

