VMRO-DPMNE: Populli është në disponim opozitar, e deligjitimuam Kovaçevskin dhe LSDM-në

Shkup, 22 gusht – “VMRO-DPMNE tërësisht ka deligjitimuar LSDM-në dhe Dimitar Kovaçevskin në zgjedhje. Fitore e bindshme e VMRO-DPMNE-së në Tetovë kundrejt humbjes së LSDM-së tregon se pushteti nuk ka më kredibilitet të vazhdojë të udhëheqë me institucionet. Populli është i pakënaqur, i dëshpëruar dhe i revoltuar dhe ndjehen të manipuluar nga pushteti”. Kështu shprehen në komunikatën e sotme për media nga partia në opozitë, VMRO-DPMNE, informon Zhurnal.

Sipas tyre, fitorja e VMRO-DPMNE-së dhe Besës ndaj LSDM-së dhe BDI-së dëshmon se populli është kundër këtij koalicioni kriminal.

“Është absurde që LSDM dhe Kovaçevski humbjen e festojnë si fitore, kur rezultati në zgjedhje tregoi se populli është me disponim opozitar.

Festimi i fitores së Kovaçevskit dhe LSDM-së në Qendër Zhupë ku kishte vetëm një kandidat dhe atë nga partia e turqve, është qesharake, sepse sipas deklaratës së Kovaçevskit, LSDM atje ka lufutar me kundërshtar imagjinar.

Kjo tregon se Kovaçevski mund të fitojë vetëm me kundërshtarë të shpikur. E për këtë duhet të jep dorëheqje. VMRO-DPMNE ka numër më të madh të kryetarëve të komunave dhe këshilltarëve në këshillat e komunave”, thonë nga DPMNE.

Sipas tyre, VMRO-DPMNE është favorite mes qytearëve dhe për këtë shkak LSDM po ikë nga zgjedhjet./Zhurnal.mk