Sveçla e procedoi Projektligjin për zyrtarët publikë, Tahiri thotë se s’duhet të kalojë assesi
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka reaguar pas procedimit të Ligjit për zyrtarët publikë nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Tahiri këtë projektligj e ka quajtur sulm mbi administratën shtetërore dhe “kundër gjithçkaje që është arritur me BE-në”.
“Duke e lexuar Projektligjin e ri për zyrtarët publikë, jam i tmerruar me provizionet që parapërcaktojnë dhe lejojnë hapësirë për ndërhyrje politike në administratë publike”, shkroi ai.
“Ky Projektligj qenka një sulm i drejtpërdrejtë ndaj administratës shtetërore dhe shërbimit civil pa përjashtim. Është kundër gjithçkaje që është arritur me BE-në dhe sigma në dekadën e fundit”, shtoi Tahiri.
Sipas tij, ministri Xhelal Sveçla dëshiron ta bëjë kështu një “fshisë të hekurt kundër menaxhmentit drejtues të administratës shtetërore”.
“Ky ligj nuk duhet të kalojë, assesi!”, shkroi Tahiri.

