Editorial / Kërkesa e opozitës për Qeveri teknike, rehabilitim për disa muaj i anëtarëve të pakënaqur partiak !

Shkruan, Agjencia Zhurnal.mk

Shkup, 18 gusht – Nënkryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari në një postim të tij ka kërkuar që sa më shpejt të formohet një qeveri teknike, e cila do të ishte zgjidhja imediate për problemet me të cilat po ballafaqohet qeveria aktuale. Por, a është kjo zgjidhja më e mirë, sigurisht që jo, kështu e pranon edhe vetë Taravari, por është fakt tjetër se kriza globale do të fillojë të ndjehet edhe më fuqishëm gjatë dimrit, ndërsa Maqedonia e Veriut mbetet “viktimë” e nacionalizimit të shfrenuar maqedonas që pamundëson hapjen e negociatave me BE-në, që i bie pamundësinë e thithjes sa më shumë fondeve për zhvillim.

Sipas opozitës, shteti po shkon drejt vdekjes klinike

Në postimin e nënkryetarit të opozitës shqiptare numërohen disa nga sektorët që duhet intervenimin sa më i shpejtë. “Është e domosdoshme që inatet partiake të dalin jashtë zyrave vendimmarrëse, jashtë mureve të selive pushtetare, dhe të fillojë të funksionojë një kabinet qeveritar që do të mbushë xhepat e qytetarëve dhe jo xhepat e tyre personalë. Ndërhyrje imediate profesioniste kërkohet në këto vatra që rrezikojnë gjithë vendin: 1. Korrupsioni, 2. Papunësia, 3. Arsimimi, 4. Shëndetësia dhe 5. Administrata”.

Në këtë reagim theksohet se me shërimin e këtyre 5 pikave nevralgjike do të marrë frymë dhe ekonomia pasi Maqedonisë nuk i mungojnë paratë, i mungon transparenca. Një problem tjetër që mund të na kushtojë më shumë është raporti ynë me fqinjët afërt dhe të largët.

Diplomacia pra është një sektor shumë i ndjeshëm ku duhet ndërhyrje ndërpartiake, pa pasione politike, me kthjelltësi dhe vizion pasi është moment vendimtar për të ardhmen e vendit.

Kemi dekada që presim një ditë, e jo sepse nuk jemi të aftë të dallojmë kohët, të nesërmen nga viti, të “së shpejti” me “së voni”…por sepse kemi qenë të gjithë viktima të tre kalendarëve që nuk kanë të njëjtin ritëm kohor. Sipas kalendarit pushtetar të gjithë lajmëroheshim se maksimumi 1 muaj dhe BE-ja do fillonte negociatat, dhe pas hapjes së negociatave ishte çështje ditësh pranimi në BE (gjithnjë sipas kalendarit qeveritar).

Kalendari tjetër ishte ai evropiano – brukselian, ku dita zgjat sipas strategjisë politike dhe kalendari tjetër dhe i fundit është ai gregorian.

Qeveria Teknike do duhet ta ketë prioritet daljen nga kriza e dilemave historike dhe pajtimin e kalendarit qeveritar dhe atij të BE-sê me kalendarin e popullit ku dita është 24h!

Taravari shtron pyetje retorike: A është kjo zgjidhja më e drejtë?! Jo, natyrisht që jo! Dinastitë qeveritare kanë bërë shumë shkelje, vjedhje, abuzime, me pak fjalë Krime dhe çdo i tillë duhet dënuar por…a është e rëndësishme që tani të nisim hetuesinë e fajtorëve ndërkohë që fati i shtetit po rrokulliset drejt një vdekje klinike?!

Ballafaqim serioz në sektorin e energjetikës

Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës ka bërë që të gjitha shtete e Bashkimit Evropian dhe SHB-ve të pozicionohen në anën e Ukrainës, e cila është viktimë e një ofensive ruse për zgjerim, dominim dhe dëshmi të forcës së saj. Rusia, po përdor të gjitha format për t’i treguar botës se është një shtet që ka forcë të madhe ushtarake, bërthamore e mbi të gjitha se e ka botën në dorë pasi posedon pjesë më të madhe të energjisë së gazit, me të cilën e furnizonte Evropën dhe ka ushqim të mjaftueshëm për vete por edhe për shtetet e tjera që do të jenë nën varësi të saj.

Kjo krizë energjetike ka bërë që në tregun botëror të prishen të gjitha balancat e deritanishme, të ketë shtrenjtim të rrymës elektrike, çmimeve të naftës , çmimit të gazit dhe plot resurseve tjera ushqimore. Edhe shtete më të mëdha dhe më të zhvilluara ekonomikisht po ballafaqohen me sfida të njëjta, por shtete të vogla si Maqedonia e Veriut, Kosova, Shqipëria, Mali i Zi… do ta kenë edhe më të vështirë të ballafaqohen me kriza të tilla. Atyre u mungojnë resurse të mjaftueshme për gjenerim energjie dhe sigurisht mjete financiare për të blerë rrymë në tregun ndërkombëtar, ku çmimet kanë arritur kulmin që s’mbahet mend.

Të ndodhur në këtë krizë dhe në atë që po pritet të vijë, qeveria e Maqedonisë së Veriut ka bërë disa përpjekje për të siguruar energji të mjaftueshme sa për të përballuar dimrin, duke blerë që tani një sasi në tregun ndërkombëtar, ka rikthyer në punë termocentralet që po prodhojnë rrymë me qymyr dhe ka marra masa që qytetarët të mos harxhojnë rrymë vend e pa vend.

Problemi me ndryshimin e Kushtetutës

Përveç problemit ekonomik, Maqedonia e Veriut po ballafaqohet edhe me probleme politike, siç është procesi i fillimit faktik të negociatave me Bashkimin Evropian. Kushti i vënë nga Bullgaria që pakica bullgare të bëhet pjesë e Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut po kundërshtohet në mënyrën më të ashpër të mundshme nga opozita maqedonase dhe ky veprim e ka vënë në ngërç ndryshimin e nevojshëm. Nëse nuk ndodh ky ndryshim, Maqedonia e Veriut nuk do të mund të thithë mjaftueshëm fonde financiare nga programet e BE-së për ndihmë qoftë edhe në sektorin e energjetikës. Problemet thellohen më shumë kur nuk mund të zhvillohen reforma të mjaftueshme në sektorin e drejtësisë, duke atakuar më së shumti gjyqësorin dhe prokurorinë.

Çfarë mund të ndihmojë opozita nëse formohet një qeveri teknike!

Në kriza të tilla, siç kjo e pritshmja ekonomike, opozita duhet t’i dalë në ndihmë qeverisë, ta përkrahë dhe sidomos që të mbyllë proceset politike. Formimi i një qeverie teknike, e në të cilën pjesë do të bëheshin edhe BESA dhe ASH-ja, nuk duket se mund të ketë ndikim të madh në rregullimin e çështjeve shtetërore. I vetmi përfitim do të ishte rehabilitimi për disa muaj i anëtarëve të pakënaqur partiak dhe pastaj shkuarje në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Sepse, vetëm me votat e dy partive opozitare shqiptare nuk do të mund të ndryshohej kushtetuta, por as nuk do të zgjidhej kriza energjetike.

Opozita shqiptare duhet ta dijë se në asnjë vend në botë nuk kërkohet që të formohet qeveri teknike për të luftuar kundër korrupsionit, papunësisë, zhvillim të arsimimit, shëndetësinë dhe profesionalizim të administratës. Detyrë e opozitës është që këto dukuri t’i publikojë para qytetarëve dhe t’ua mbushë mendjen qytetarëve që kur të vijë koha e zgjedhjeve ta dënojnë pushtetin për punët që nuk i ka bërë.

Opozita maqedonase nuk dëshiron qeveri teknike, por ajo kërkon zgjedhje të menjëhershme parlamentare, duke besuar se mund të dalë fitimtare në të njëjtat dhe të formojë qeveri.

Çdo veprim që mund të ndodhë në të ardhmen, pa e mbyllur çështjen me ndryshimet Kushtetuese dhe pa filluar “de jure” negociatat me Bashkimin Evropian nënkupton vetëm kthim mbrapa dhe humbje kohe. Edhe nëse shkohet në zgjedhje të parakohshme dhe në pushtet vjen VMRO DPMNE, çështja e futjes së Bullgarëve në Kushtetutë duhet të ndodhë. Nëse kjo nuk ndodh, nuk ka negociata dhe integrim me BE-në.

Vetëm nëse VMRO DPMNE garanton se pranon që të futet në qeveri teknike dhe do të votojë ndryshimet Kushtetuese (gjë që nuk ndodh), atëherë qeveria aktuale mund të mendojë drejt një propozimi të tillë.