Mariçiq: Është herët të flitet për ndryshimet kushtetuese
Shkup, 17 gusht – Procedura për ndryshime kushtetuese në Kuvend do të fillojë në ndonjë fazë të mëtutjeshme. tani është herët të flitet për atë, sepse skriningu na jep mjaft kohë për t’i kryer ndryshimet kushtetuese, deklaroi sot zëvendëskryeministri i angazhuar për çështje evropiane, Bojan Mariçiq, duke iu përgjigjur pyetjeve në konferencën për shtyp në Qeveri lidhur me thirrjen e liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski të caktojë mbledhje në Kuvend për ndryshimet kushtetuese.
“Të gjitha opsionet janë në dispozicion. Ne si Qeveri do të ofrojmë platformë për mbështetje të integrimeve evropiane dhe jam i sigurt se do të ketë mundësi që atë platformë ta mbështetë një konsensus i gjerë i deputetëve në Kuvend”, tha Mariçiq lidhur me opsionet e mundshme për sigurim të shumicës prej dy të tretave për ndryshim të Kushtetutës për futje të bullgarëve në Preambulë.
Sipas tij, kjo nuk do të jetë e thjeshtë, mu për shkak të, siç tha, “këtij presioni dhe propagandës tejet të madhe dhe lajmeve të rrejshme lidhur me marrëveshjen me Bullgarinë”.
“VMRO-DPMNE dhe Mickoski duhet edhe njëherë të japin mbështetje për qëllimet tona strategjike. I anashkaluan ato për në NATO, që është për keqardhje për të gjithë ne, por nuk do të duhej t’i anashkalonin për BE-në. Shpresoj se do të mbledhin forca ose si parti ose si struktura politike të japin mbështetje për këtë proces, ne ende nuk kemi kornizë kohore, skriningu na lë mjaft hapësirë për të vepruar. Do të punojmë për këtë intensivisht”, potencoi zëvendëskryeministri Mariçiq.

