Avokatët e Asanzhit e padisin CIA-n

Avokatët amerikanë të themeluesit të Uikiliksit, Xhulian Asanzh njoftuan se kanë ngritur një padi kundër CIA-s dhe ish-drejtorit të saj Majk Pompeo, duke i akuzuar ata për regjistrimin e bisedave të tyre dhe kopjimin e përmbajtjes nga telefonat dhe kompjuterët e tyre.

Avokatët dhe dy gazetarët që iu bashkuan padisë janë amerikanë dhe pretendojnë se CIA ka shkelur të drejtën e tyre kushtetuese për të mbrojtur bisedat private, në këtë rast me Asanzhin, i cili është australian.

Ata pretendojnë se CIA ka bashkëpunuar me firmën e sigurisë Undercover Global, e cila ishte angazhuar nga ambasada e Ekuadorit në Londër ku fshihej Asanzh, për të spiunuar atë, avokatët e tij, gazetarët dhe njerëzit e tjerë me të cilët është takuar.

Sipas avokatit Riçard Roth, i cili përfaqëson paditësit, kjo do të thotë se e drejta e Asanzhit për një gjykim të drejtë është “cenuar, nëse nuk anulohet”, sepse “qeveria e di përmbajtjen e atyre bisedave”.

Asanzh apeloi vendimin e gjykatës britanike për ekstradimin e tij në SHBA, ku ai përballet me 175 vjet burg.