Të paktën 41 viktima në zjarrin në një kishë kopte në Egjipt

Së paku 41 persona kanë humbur jetën nga zjarri në një kishë kopte në Giza afër Kajros, njoftoi sot Kisha Ortodokse Kopte e Egjiptit.

Një burim i Ministrisë së Shëndetësisë e ka konfirmuar për DPA-në numrin e viktimave.

“Numri i të vdekurve është rritur pasi disa të lënduar nga zjarri u janë nënshtruar plagëve”, shtoi burimi, i cili ka kërkuar të mos emërtohet, pasi që nuk është i autorizuar të flasë për media.

Kisha kopte ka komunikuar se zjarri ka shpërthyer gjatë meshës së mëngjesit në kishën Abo Sefein në qytetin e Gizës, me ç’rast kanë humbur jetën të paktën 41 persona, ndërsa janë plagosur 14 të tjerë.

Zjarri ka rënë për shkak të mosfunksionimit të qarkut elektrik të shkaktuar nga një kondicioner në objektin e kishës, kumtoi Ministria e Punëve të Brendshme.

Zjarri më vonë është vënë nën kontroll, thuhet në njoftimin e Ministrisë. Në incident janë lënduar pesë persona të mbrojtjes civile.