SHBA, Rusia dhe Kina po marrin pjesë në bisedimet me vendet e Azisë Juglindore
Në kryeqytetin e Kamboxhias sot mbahet Samiti lindor- aziatik i Asociacionit të shteteve të Azisë Juglindore, Forum ku në kushte të tensioneve të theksuara mes fuqive globale për herë të parë që nga fillimi i luftës në Ukrainë në një tryezë do të ulen sekretari amerikan i shtetit Entoni Blinken dhe ministrat e jashtëm të Rusisë, Sergej Lavrov dhe ai i Kinës, Vang Ji.
Takimi në Pnom Pen mbahet një ditë pasi basketbollistja amerikane Britni Grejner në Rusi u dënua me nëntë vjet burg për posedim droge.
Nga ana tjetër, Kina shprehu pakënaqësi për vizitën e fundit të kryetares së Dhomës përfaqësuese të SHBA-së, Nensi Pelosi në Tajvan, një ishull autonom që Pekini e konsideron pjesë të territorit të saj. Si demonstrim i forcës, Kina dje filloi manovrat ushtarake rreth Tajvanit.
Ministri i jashtëm kinez Vang Ji ka prekur në shpatull homologun e tij rus Sergej Lavrov, ndërsa ai hynte në sallën e kongresit e përshëndeti me dorë para se të ulej në vendin e tij.
Lavrov ia ka kthyer përshëndetjen.
Blinkeni i cili i fundit ka hyrë në sallën ku mbahet mbledhja nuk shikoi as drejt Lavrovit e as Vangut derisa u ul në vendin e tij.
Para takimit në Pnom Pen, Departamenti amerikan i shtetit tha se Blinkeni nuk ka ndërmend të realizojë takime të ndara as me shefin e diplomacisë kineze e as atë ruse.
Kina dje e anuloi takimin e ministrave të Jashtëm me Japoninë në shenjë proteste pasi Grupi i shtatë vendeve të industrializuara më të zhvilluara në botë (G7) publikoi se nuk ka asnjë justifikim për stërvitjet ushtarake të Pekinit që praktikisht kanë rrethuar Tajvanin.
“Japonia dhe anëtaret e tjera të G7 dhe BE-së kanë dhënë një deklaratë të papërgjegjshme duke fajësuar Kinën, duke u përzier në atë që është e drejtë me atë që është e gabuar”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Kinës.
Kur ministri japonez për Punë të Jashtme, Hajashi Joshimasa filloi të flasë në Samitin e Kamboxhias, Lavrovi dhe Vangu kanë lëshuar sallën, deklaroi një diplomat anonim i pranishëm në Forum.
Kryesuesi i Samitit të Azisë Lindore, ministri i Punëve të Jashtme të Kamboxhias, Prak Sohon, në fjalimin e tij para të pranishmëve shpreson se të gjithë delegatët do ta përdorin Forumin si një mjet angazhimi dhe komunikimi të ndërsjellë. “Çdo vit kemi më shumë sfida që duhet t’i shqyrtojmë, por kurrë më parë si këtë vit nuk jemi përballur me kaq shumë rreziqe në të njëjtën kohë”, tha ai para takimit që të vazhdojë me dyer të mbyllura.

