Pekini ambasadorëve perëndimorë u dorëzoi protestë për shkak të qëndrimit G7 dhe BE-së për Tajvanin
Kina sot kumtoi se u ka bërë thirrje ambasadorëve evropianë në Pekin në takim në shenjë proteste kundër deklaratave të grupit G7 dhe Bashkimit Evropian me të cilat kritikohen stërvitjet kineze mbi Tajvanin.
Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës sot kumtoi se zëvendësministri Deng Li ka dhënë “deklaratë zyrtare” për, siç tha, “ndërhyrjen e paskrupullt në punët e brendshme të Kinës”, transmetojnë mediat amerikane.
Kina tashmë disa ditë ka dërguar anije ushtarake dhe aeroplanë, ndërsa dje lansoi edhe projektile në Ngushticën e Tajvanit, pas vizitës së funksionares së lartë amerikane, Nensi Pelosi në Tajvan.
Në anën kineze, e cila po përballet me Tajvanin, sot u mblodhën turistë për të parë avionët luftarakë që niseshin për në zonën e stërvitjes. Motorët e avionëve mund të dëgjoheshin mbi kokat e turistëve, ndërsa turistët bënin fotografi dhe brohorisnin: “Le ta kthejmë Tajvanin”, shtojnë mediat amerikane.
Kina sot në mëngjes dërgoi anije ushtarake të reja dhe aeroplanë përmes linjës së mesit në Ngushticën e Tajvanit, kumtoi Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit, me të cilat ushtria kineze pas disa dekadash e ka kaluar tampon zonën jozyrtare midis Kinës dhe Tajvanit.
Pesë projektile kineze dje ranë në zonën ekonomike ekskluzive japoneze, në afërsi të ishullit Hateruma, në jug të ishujve japonezë, deklaroi ministri japonez i Mbrojtjes, Nobuo Kishi.
Ai tha se Japonia ka protestuar për shkak të raketës, duke vlerësuar se ajo “është kanosje e rrezikshme për sigurinë nacionale të Japonisë dhe sigurinë e popullit japonez”.
Tokio shtoi se besojnë se katër projektilet e tjera të hedhura nga Fuxhiani e kanë kaluar Tajvanin.
Ndërkohë, mediat britanike raportojnë se Kina ka thirrur ambasadorin japonez në Pekin për shkak të pjesëmarrjes së Tokios në deklaratën “e pasaktë” të G7 për Tajvanin, tha Ministria e Punëve të Jashtme kineze.

