Papa Françesku në Kanada: Më dhemb ajo që katolikët kanë mbështetur një politikë shtypëse

Papa Françesku në ditën e fundit të vizitës së tij në Kanada u tha liderëve indigjenë se i dhemb ajo që katolikët kanë mbështetur politikat shtypëse dhe të padrejta kundër tyre.

Ai sot u takua me një delegacion të popujve indigjenë në rezidencën e kryepeshkopit në Kebek, përpara se të shkonte në territorin arktik të Nunavut, të cilin Kanadaja e krijoi në 1999 për Inuitët.

“Erdha si një vëlla për të zbuluar nga afër rezultatet e mira dhe të këqija që kanë dhënë anëtarët e familjes katolike vendase gjatë viteve”, tha papa Françesku.

Ai theksoi se ka ardhur me frymën e pendimit, për të shprehur dhimbjen e tij të sinqertë për padrejtësinë që u është bërë nga një numër i madh i katolikëve që kanë mbështetur një politikë shtypëse dhe të padrejtë ndaj tyre.

Fëmijët indigjenë kanë vuajtur nga uria dhe janë abuzuar fizikisht në shkollat ​​katolike në Kanada, sepse e kanë folur gjuhën e tyre amtare, ndërsa shumë u abuzuan seksualisht në një sistem që Komisioni kanadez i të Vërtetës dhe Pajtimit e quajti “gjenocid kulturor”.