Mariçiq: Legjislacioni i BE i përkthyer në gjuhën maqedonase zyrtarisht në Gazetën Zyrtare

Shkup, 27 korrik – Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq sot nënshkroi Marrëveshje Kornizë për përkthimin e legjislacionit evropian në gjuhën maqedonase me shtatë operatorë ekonomikë.

“Një nga karakteristikat e Bashkimit Evropian ishte gjithmonë shumëgjuhësia e tij dhe ne, me nënshkrimin e sotëm të kësaj Marrëveshje Kornizë, me forca të bashkuara e tregojmë angazhimin tonë që të kontribuojmë në publikimin me sukses të legjislacionit të BE-së në gjuhën maqedonase në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Evropian”, theksoi Mariçiqi në fjalimin e tij me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes kornizë për përkthim.

Siç njoftoi SÇE, ai theksoi se procesi i përkthimit të të drejtës evropiane në gjuhën maqedonase zhvillohet pandërprerë, sepse edhe pas hapjes së bisedimeve me Unionin dhe fillimin e procesit të skriningut, vendi paralelisht duhet të punojë në harmonizimin e legjislacionit kombëtar me të drejtën e BE-së.

“Suksesi i skriningut dhe kohëzgjatja e tij në masë të madhe varet nga harmonizimi, gjegjësisht procesi i marrjes dhe zbatimit të acquis”, tha Mariçiq, duke theksuar se ky kusht për anëtarësim është identik për të gjitha vendet kandidate dhe rrjedh nga sistemi juridik i BE-së, i cili përcakton se të gjitha gjuhët zyrtare të shteteve anëtare janë gjithashtu gjuhë zyrtare të Unionit dhe se të gjitha versionet gjuhësore të akteve ligjore janë origjinale dhe ekuivalente.

Mariçiq theksoi se përkthim i mirë dhe cilësor nënkupton transpozim dhe zbatim të drejtë të legjislacionit të Bashkimit Evropian, ndërsa njëkohësisht gjuha maqedonase do të gëzojë statusin e gjuhës së barabartë dhe zyrtare në Union kur shteti ynë do të bëhet anëtar i plotfuqishëm i saj.

Vitin e kaluar, gjithsej 17.322 faqe u përkthyen, u rishikuan dhe u korrigjuan nga burimet e brendshme që disponon Sekretariati për Çështje Evropiane, së bashku me persona të angazhuar nga jashtë, që është tregues i një historie suksesi, e cila duhet dhe duhet të vazhdojë.