Sektori i ndërtimtarisë shënon rënie, kompanitë përballen me mungesë kuadri

Shkup, 25 Korrik – Sektori i ndërtimtarisë në vend ka shënuar rënie prej 17,2 për qind në tre muajt e parë të vitit 2022, tregojnë të dhënat e Bankës Popullore. Nga sektori i ndërtimtarisë thonë se rritja e shpenzimeve dhe mungesa e fuqisë punëtore janë dy segmente të cilat ndikojnë negativisht në këtë sektor. Nënkryetari i OEMVP-së Salim Hasani theksoi se pothuajse të gjitha kompanitë vendave përballen me mungesës e kuadrit adekuat, punëtorët ikin jashtë shtetit për rroga më të mira, ndërsa kompanitë këtu nuk kanë standarin tu ofrojnë atyre “rroga evropiane”, sepse më pas do të duhej të rrisin kostot e banesave.  

“Gjendja e fuqisë puntore në Evropë është e tillë që atje ka mungesë të madhe dhe rrogat që ofrojnë për momentin janë shumë të larta se sa ne. Edhe pse ne i kemi rritë dhe i rrisim kohë pas kohe. Ne nuk kemi më shumë hapësirë për shkak se nëse ne do ti rritim shpenzimet në mënyrë drastike të fuqisë puntore në moment do të duhet të rrisim edhe kostot e produkteve që ne i shesim për treg, qoftë shërbime ndërtimore, qoftë produkte siç janë banesat. Në atë rast nëse ne i rrisim më shumë se sa është fuqia blerëse që blejnë do të kemi problem me shitjet.”, tha Salim Hasani, nënkryetar i OEMVP-së.                

Importimi i fuqisë punëtore nga jashtë është një nga zgjidhjet që do të lehtësonte pak punën e bizneseve në vend, tha Hasani, prandaj apeloi që shteti të merr hapa konkret në këtë drejtim.

“Institucionet shtetërore të bëjnë punënë e vet, të lehtësojnë procedurat, që të mundemi të importojmë më lehtë, sepse nëse ne do të humbin nga një muaj apo dy muaj për ti rregulluar dokumentet e një punëtori, a neve na duhet në moment për ta mbajtur atë frontin e punës, numër i konsiderueshëm i punëtorëve, do të thotë ne nuk mund ti presim pçrocedurat. Duhet procedurat të thjeshtohen.”, tha Hasani.

Sipas të dhënave të Bankës Popullore kjo rënie vjen si pasojë e rënies së segmentit të ndërtimtarisë së lartë, derisa te ndërtimet e ulëta ka rritje në tremujorin e parë.

“Një nga arsyet kryesore për stagnimin në ndërtimtari është rritja e kostove të ndërtimit. Në tremujorin e parë të 2022, krahasuar me tremujorin e katërt të 2021, shpenzimet e ndërtimit për banesat e reja për një familje u rritën me 7,5 për qind, shpenzimet materiale u rritën me 10 për qind dhe shpenzimet e punonjësve u rritën me 2,3 për qind. Në tremujorin e parë të 2022, krahasuar me tremujorin e parë të 2021, kostot e ndërtimit për banesat e reja për një familje u rritën me 23,8 për qind, kostot e materialeve u rritën me 29,3 për qind dhe kostot e punës u rritën me 12,5 për qind.”, thuhet në njoftimin e Bankës Popullore.