Predan: Gjuha maqedonase do të jetë gjuhë zyrtare e BE-së, ajo u pranua nga 26 vende anëtare
Bruksel, 18 korrik – Gjuha maqedonase është e pranuar nga 26 vende anëtare të Bashkimit Evropian, që do të thotë se do të jetë gjuhë zyrtare e BE-së. Gjithsesi, një vend anëtar çdoherë ka të drejtë me disa deklarata të njëanshme të tregojë disa rezerva të veta, por kjo sigurisht nuk do të ketë kurfarë ndikimi në statusin e gjuhës maqedonase në BE, deklaroi sot në Shkup ambasadori i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Millan Predan.
Predan, duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve para ngjarjes informuese të Sekretariatit për çështje evropiane dhe Ambasadës së Sllovenisë për konkursin e hapur për bashkëfinancim të projekteve zhvillimore, theksoi se sigurisht 26 vendet anëtare të cilat e pranojnë gjuhën maqedonase, si gjuhë maqedonase, nuk mund ta pranojnë veton për shkak se një vend anëtar ka rezerva për gjuhën.
“Duhet të dini se gjatë negociatave do të ketë shumë situata kur do të mund të krijohen disa pengesa. Gjithsesi, jo vetëm nga ana e një vendi anëtar, mund të jenë edhe nga ana e një vendi tjetër anëtar, Këtë e kemi përjetuar të gjithë kur kemi negociuar”, deklaroi Predan.
Sllovenia, theksoi Predan, gjithashtu, pati çështje të hapur me një prej fqinjëve para fillimit të negociatave me BE-në.
“Edhe Sllovenia duhej me kërkesë të një prej fqinjëve ta ndryshojë Kushtetutën. Situatë mjaft e ngjashme në atë pikëpamje dhe ne atëherë thjeshtë vlerësuam se qëllimi, të hyhet në BE, është më i rëndësishëm se ajo. Kështu që, kjo nuk është asgjë e re. Të gjithë që kanë negociuar me BE-në kanë qenë në situatë të kenë ndonjë pengesë në atë proces, por ajo që është më me rëndësi është se treni maqedonas drejt BE-së përfundimisht u nis apo do të niset”, deklaroi Predan.
Lidhur me të gjitha çështjet e hapura dhe qëndrimet, Predan, tha se është shumë më mirë të ndërmerret rreziku, se sa të mbetet aty ku jemi tani.
“Qeveria e ndërmori atë përgjegjësi, dhe gjithsesi, në fund vetë votuesit në një moment të dhënë do të vlerësojnë se ai vendim ishte i mirë apo jo. Unë sigurisht besoj se vendimi është i mirë për të ardhmen e shtetit tuaj”, deklaroi Predan.

