Brukseli përshëndeti vendimin e Kuvendit për konkluzionet e propozimit francez

Bruksel, 16 korrik – Oliver Varhei, Ursula Fon der Lajen dhe Sharl Mishel në Tuiter kanë përshëndetur vendimin e sotëm të Kuvendit për konkluzionet e propozimit francez.

Eurokomisari  për Zgjerim, Varhei, ka shkruar se e mirëpret votimin në Kuvend, i cili i jep Qeverisë një mandat të qartë për të nisur Konferencën e parë Ndërqeveritare bazuar në propozimin francez.

“Ne presim me padurim hapjen e negociatave të anëtarësimit të martën kur të takohemi në Bruksel për Konferencën e parë ndërqeveritare”, ka shkruar Varhei.

Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, përgëzoi vendimin e Kuvendit dhe tha se janë mundësuar kushtet për hapje të shpejtë të negociatave për anëtarësim.

“Kjo ishte një mundësi historike dhe ju e shfrytëzoni”, shkruan Fon der Lajen.

Kryetari i Këshillit Evropian, Sharl Mishel, tha se votimi i sotëm hap rrugën për mbajtjen e Konferencës Ndërqeveritare javën e ardhshme.

“Ky është një hap thelbësor për vendin dhe për BE-në. E ardhmja jonë është e përbashkët dhe ju presim krahëhapur”, ka shkruar Mishell në Tuiter.