Bajden dhe Lapid të vendosur për të parandaluar Iranin nga marrja e armëve bërthamore
Presidenti amerikan Xho Bajden dhe kryeministri izraelit Jair Lapid u zotuan sot se nuk do ta lejojnë Iranin të marrë armë bërthamore, që është shenjë e unitetit mes aleatëve të ndarë me vite rreth diplomacisë me Iranin.
Premtimi, i përfshirë në “Deklarata e Jerusalemit” që mbylli vizitën e parë të Bajdenit në Izrael si president, pasoi pas deklaratës së tij në televizionin izraelit se ai ishte i hapur ndaj mundësisë së përdorimit të armëve kundër Iranit “si mjeti i fundit”, një lëshim i dukshëm për Izraelin që kërkonte që fuqitë botërore të përbënin një “kërcënim të besueshëm ushtarak”.
Në deklaratën sot, të publikuar përpara nënshkrimit zyrtar të deklaratës, rikonfirmohet mbështetja e SHBA-së për të drejtën e Izraelit për të “mbrojtur veten”.
“SHBA-ja thekson se pjesë e atij zotimi është një përcaktim që Irani nuk do të lejohet kurrë të marrë një armë bërthamore dhe se ai është i përgatitur të përdorë të gjithë elementët e fuqisë së tij kombëtare për të siguruar atë rezultat”, thuhet në deklaratë.
Në vitin 2015, Irani nënshkroi një marrëveshje ndërkombëtare që kufizon projektet e tij bërthamore, të cilat kanë potencial për të krijuar bomba. Në vitin 2018, presidenti i atëhershëm Donald Tramp u tërhoq nga marrëveshja, duke pretenduar se ishte e gabuar, një veprim që Izraeli e mirëpriti

