KE: Inflacioni në BE do të arrijë maksimumin historik
Shkup, 14 korrik – Komisioni evropian në parashikimin e vet ekonomik të verës parashikoi rritje të ekonomisë në Bashkimin Evropian prej 2,7 për qind në vitin 2022, përderisa për vitin 2023 parashihet rënie në 1,5 për qind, përkatësisht 2,6 dhe 1,4 për qind në eurozonë.
Njëkohësisht, parashihet se inflacioni mesatar vjetor do të arrijë “maksimumin historik” në vitin 2022 prej 7,6 për qind në eurozonë dhe 8,3 për qind në BE, para uljes në vitin 2023 në 4,0 dhe 4,6 për qind.
Duke e prezantuar parashikimin më të ri ekonomik për BE-në dhe eurozonën, komisari për ekonomi, Paolo Xhentiloni theksoi se lufta e Rusisë ndaj Ukrainës edhe më tej ndikon negativisht në ekonominë e BE-së, duke e vendosur në rrugë të rritjes së ulët dhe inflacionit të rritur në raport me parashikimin e kaluar pranveror.
“Aksionet e Moskës po e çrregullojnë furnizimin me energjesë dhe me grurë, i rrisin çmimet dhe e ulin besimin. Në Evropë, vrulli i hapjes së sërishme të ekonomive tona do ta mbështesë rritjen vjetore për vitin 2022, por për vitin 2023 dukshëm e reviduam parashikimin tonë. Pritet që inflacioni i lartë rekord ta arrijë kulmin më vonë këtë vit dhe gradualisht të shënojë rënie në vitin 2023”, sqaroi Xhentiloni.
Ai paralajmëroi se zhvillimi i luftës në Ukrainë, posaçërisht i dërgesave të gazit për Evropë, si dhe mundësia për përforcim të sërishëm të pandemisë me Kovid-19, paraqesin rrezik si për zhvillimin e ekonomive evropiane, ashtu edhe për inflacionin e mëtejshëm.
Njëkohësisht, në Bruksel bëjnë me dije se tendencat e kohëmëparshme të rënies së çmimit të naftës dhe të mallrave të tjera mund të intensifikohen, që do të çonte drejt rënies më të shpejtë të inflacionit, se sa që pritet tani.
Shtohet edhe se konsumi privat në Evropë, falë tregut të fuqishëm të punës, mund të tregohet më rezistent ndaj rritjes së çmimeve, nëse amvisëritë shfrytëzojnë më shumë nga kursimet e veta të akumuluara.

