Dhoma Amerikane e Tregtisë kundër Amnistisë Fiskale

Pas Komisionit Evropian, një tjetër kritikë ndaj projektligjit të Amnistisë Fiskale ka ardhur nga Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri. Sipas Dhomës Amerikane të Tregtisë, ky projektligj nuk ofron garancinë e mjaftueshme që individët me të precedent penal apo veprimtari kriminale të përjashtohen nga kjo amnisti. Miratimi i këtij legjislacioni, do të ndikonte në klimën e bizneseve të ndershëm dhe investimeve duke krijuar një konkurrencë të padrejtë. Ministrja e Ekonomisë dhe Financave Delina Ibrahimaj i ka hedhur poshtë pretendimet se ligji do të amnistojë pasuritë nga të ardhura kriminale. Sipas projektligjit të qeverisë çdo qytetar shqiptar, rezident në Shqipëri, por edhe emigrantët do të mund të përfitojnë nga amnistia fiskale deri në shumën 2 milionë euro. Projektligji për amnistinë fiskale dhe penale për deklarimin vullnetar të pasurisë është hedhur për konsultim publik, për të marrë mendimin e individëve dhe grupin e interesit. Qëllimi është për të kuptuar nëse publiku është dakord që një person të deklarojë deri në 2 milionë euro pasuri, që deri më tani e ka pasur të padeklaruar dhe t’i njihet kjo si një pasuri e ligjshme pavarësisht burimit të këtyre të ardhurave. Në faqen zyrtare të BE-së nënvizohet si problem pasi rezidentët jotatimorë, do të importonin para për të përfituar nga amnistia.

Reagimi

Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri (AmCham) vëren shqetësime serioze mbi draft-ligjin për amnistinë fiskale, të propozuar së fundmi nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë. Edhe pse akti i ri ka disa ndryshime nga iniciativa e mëparshme e qeverisë e ndërmarrë në vitin 2020, këto ndryshime nuk janë aq thelbësore për të ndryshuar rreziqet e ngritura prej saj dhe nga partnerë të tjerë ndërkombëtarë, si FMN-ja dhe Komisioni Evropian.

Për këtë arsye, qëndrimi i Dhomës Amerikane, bazuar në opinionin teknik të ekspertëve të

Komiteteve është si më poshtë:

1. Dispozitat e këtij projektligji nuk ofrojnë garanci që individë me aktivitete kriminale

serioze si droga, trafiku i qënieve njerëzore, pastrimi i parave janë të përjashtuar nga amnistia.

2. Zbatimi i amnistisë do të sjellë konkurrencë të pandershme, duke favorizuar individë me

aktivitete të shkuara të paligjshme, nëpërmjet tre situatave të ndryshme:

a. Shmangia e pasojave të sistemit gjyqësor;

b. Investimi i fondeve nëpërmjet kanaleve jo të ligjshme në ekonominë formale;

c. Pagesa e një norme tatimore më të ulët (5-10%) në krahasim me ato të përfshira

në aktivitete të ligjshme, e cila aktualisht qëndron në një normë totale 32%.

Për rrjedhojë, këto situata do të ulin pajtueshmërinë tatimore në Shqipëri në të ardhmen.

3. Pozicioni i Shqipërisë në programet e monitorimit ndërkombëtar mbi parandalimin dhe pastrimin e parave do të përkeqësohet. Duke qenë se Shqipëria ndodhet në listën gri të pastrimit dhe parandalimit të parave nga Moneyval, zbatimi i kësaj amnistie në këto momente kur Shqipëria ende po punon për rritjen dhe forcimin e strukturave monitoruese do të sjellë një stuhi të ekonomisë informale.

Shqetësimi ynë kryesor është se miratimi i këtij projektligji do të rrezikonte pozitën zyrtare të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, duke rrezikuar procesin e anëtarësimit në BE. Prandaj, nëse ky draft nuk merr mbështetjen publike të partnerëve ndërkombëtarë, përfshirë garanci publike nga organizatat monitoruese si Moneyval, FMN etj, Dhoma gjykon se kjo iniciativë do të jetë një hap në drejtim të gabuar, gjë që do të dëmtonte reputacionin e vendit  për të bërë biznes me partnerët ndërkombëtarë dhe do të ulte mundësinë për të tërhequr investime të huaja në vend.

Si konkluzion, Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri shprehet se rreziqet e projektligjit të ri tejkalojnë ndjeshëm përfitimet e tij dhe rekomandon tërheqjen e kësaj nisme.