Vazhdon gjurmimi në Halkidiki për dy shtetasit e zhdukur të Maqedonisë së Veriut

Athinë, 10 korrik – Pa rezultat është gjurmimi i deritanishëm gjatë natës në pjesën detare të krahut të parë të Halkidikit, për dy shtetasit, me gjasë, maqedonas, ndërsa aksioni i shpëtimit vazhdon edhe sot, si në det ashtu edhe nga ajri, lajmëroi korrespondentja e MIA-s nga Athina.

Sipas informatave të MIA-s nga shërbimi bregdetar grek, gjurmimi edhe sot po zhvillohet në kushte të këqija të motit me erë të fuqishme mbi 40 kilometra në orë, ndërsa në aksion marrin pjesë anije të shërbimit bregdetar, barka dhe anije që janë në afërsi dhe helikopteri.

Aksioni i shpëtimit filloi dje rreth orës 19:00 sipas kohës lokale, pasi që tre shokë, më plazhin Miti në Posidi, hynë në det, por me siguri janë tërhequr nga rrymat dhe dallgët, për shkak të motit të lig, ndërsa njëri prej tyre është shpëtuar.

Nga Shërbimi bregdetar i Greqisë për korrespondenten e MIA-s nga Athina dje konfirmuan se i shpëtuari është nga Maqedonia e Veriut dhe bëhet fjalë për një djalë 25-vjeçar, i cili është në gjendje të mirë shëndetësore.

Për dy të tjerët, supozohet se edhe ata janë shtetas të Maqedonisë së Veriut, megjithatë nuk ka konfirmim zyrtar nga kompetentët, edhe pse mediumet greke pohojnë se të zhdukurit janë nga Maqedonia e Veriut.

Sipas mediumeve lokale, një nga tre shokët e ka pasur ditëlindjen dhe kishin ardhur në Halkidiki për të festuar, ndërsa në një moment kanë hyrë në det për t’u larë, pa e pasur parasysh erën e fuqishme dhe dallgët.

Disa nga të pranishmit në plazh kanë vërejtur se personat në fjalë nuk janë dukur dhe menjëherë e kanë informuar shërbimin bregdetar, pas çka ka filluar aksioni i shpëtimit.

Prefektja e kasandrës, Anastasia Halkia për mediumet greke sqaroi se plazhi konkret është shumë i rrezikshëm sepse ka rryma detare dhe dallgë të mëdha.