Gjendje e jashtëzakonshme në Australi, evakuohen 50 mijë banorë

Autoritetet australiane kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme për shkak të motit të keq dhe përmbytjeve që kanë përfshirë shtetin juglindor të Uellsit të Ri Jugor.

Vendimi i marrë mbrëmë duhet ta lehtësojë mënyrën për aktivizimin sa më të shpejtë të fondeve për ndihmë në raste të fatkeqësive natyrore dhe ndihma të arrijë në zonat e prekura.

Përndryshe, shirat e rrëmbyeshme që nga e premtja kanë përfshirë pjesën më të madhe të qytetit më të madh të kontinentit. Në disa pjesë të Sidneit, si dhe vende të tjera për katër ditë ka rënë shi sa mesatarja e Londrës për të gjithë vitin.

Që herët në mëngjes po zbatohet evakuimi i rreth 50 mijë banorëve, ndërsa qindra persona kërkuan ndihmë mjekësore gjatë natës. Linjat telefonike të Shërbimeve për ndihmë urgjente janë pushtuar nga thirrjet e shumta për ndihmë nga stuhia që la pa energji elektrike 20 mijë objekte banimi, ndërsa zona të tëra të banuara janë disa metra nën ujë.

Disa nga zonat e prekura nga moti i keq ende nuk kanë riparuar dëmet e shkaktuara nga përmbytjet në shkurt dhe mars të këtij viti.

Këshilli për Ndryshime Klimatike konsideron se ndryshimet e klimës janë një faktor që kontribuon për reshjet intensive dhe temperaturat jashtëzakonisht të larta të shënuara në Australi viteve të fundit.

Në mes të janarit pjesë të mëdha të Australisë u prekën nga një valë e të nxehtit me temperatura mbi 50 gradë Celsius të matura në pjesët perëndimore të vendit