Propozimi francez do të debatohet në Kuvend, pushteti “PRO”, opozita “KUNDËR”

Shkup, 5 korrik – Propozimi francez për zhbllokimin e integrimit të Maqedonisë së Veriut në BE, në mënyrë integrale i përkthyer në gjuhën maqedonase, prej dje është publikuar në ueb faqen zyrtare të Qeverisë me qëllim të informimit transparent të opinionit, ndërsa për të, me kërkesë të një pjese të partnerëve nga koalicioni në pushtet, sipas paralajmërimeve, do të bisedohet edhe në Kuvend.

Në suaza të bisedave për propozimin francez për kornizën negociuese, sot në Shkup mbërrin kryetari i Këshillit Evropian Sharl Mishell, me qëllim që ta tregojë mbështetjen e BE-së për propozimin francez dhe e konfirmoi përpjekjen e Unionit për integrimin e Maqedonisë së Veriut.

Propozimi nga mesi i javës së kaluar është në dispozicion të opinionit dhe është vënë në një konsultim të gjerë, të cilin kryeministri Dimitar Kovaçevski e udhëheq me të gjitha palët e interesuara në vend, përfshirë partitë opozitare, organizatat e shoqërisë civile dhe mediat. Ai dje është paraqitur para Këshillit Strategjik të Ministrisë së Punëve të Jashtme me qëllim të mbajtjes së konsultimeve për fillimin e negociatave për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut.

“Konsultimet me të gjithë faktorët relevant shoqëror paraqesin aspekt të rëndësishëm nga procesi i sjelljes së vendimit përfundimtar për këtë moment historik për drejtimin në të cilin do të lëvizë vendi”, shënoi ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani në një postim në Fejsbuk.

Kovaçevski në takimin e pardjeshëm me partitë e koalicionit Lidhja Demokratike, RDM dhe PLD ka dhënë pëlqimin që propozimi të vihet në seancë plenare dhe pas debatit parlamentar për të të votohen konkluzionet.
Tre partitë politike kanë kërkuar edhe të gjitha dokumentet, duke e përfshirë edhe protokollin të përkthehen në gjuhën maqedonase dhe të publikuara e të arritshme të jenë për gjithë opinionin, ndërsa kanë porositur edhe se për to është e papranueshme nëse çështjet bilaterale lidhur me historinë dhe arsimin janë pjesë e procesit negociues.

“Nëse kjo ndikon në procesin negociues do të thotë se gjatë bisedimeve fokusi nuk do të jetë në kriteret e Kopenhagës, por do të merremi me çështjet historike dypalëshe. Ky nuk është qëllimi i procesit, ne dëshirojmë që fokusi i procesit negociues të jetë sundimi i ligjit, të drejtat e njeriut, mbrojtja e mjedisit jetësor”, tha Moraçanin për MIA-n.

Nga Lidhja Demokratike, në një kumtesë pas seancës së kryesisë partiake, sërish, kërkuan të bëhen ndryshime në kornizën negociuese. Ata besojnë se në kushte të konfrontimeve gjeostrategjike, nga vlera vendimtare është që vendi të fillojë bisedimet me BE-në dhe të vazhdojnë reformat dhe implementimi i vlerave evropiane.

Liderët e RDM-së, Maja Moraçanin, të Lidhjes Demokratike, Pavle Trajanov dhe të Partisë Liberale-Demokratike, Goran Milevski, dje kishin takim edhe me presidentin Pendarovski para të cilit i arsyetuan pikëpamjet partiake për propozimin francez dhe i theksuan brengat e tyre.

Në suaza të konsultimeve të gjera për propozimin Kovaçevski dje mbajti takim me liderin e Aleancës për Shqiptarët Zijadin Sela, i cili deklaroi se Maqedonia e Veriut duhet të vazhdojë në rrugën e eurointegrimeve dhe se opsioni tjetër për ne si shtet nuk duhet të ekzistojë. Paralajmëroi se do ta shqyrtojnë propozimin francez dhe pastaj do të dalin me qëndrimin e tyre si parti politike.

“E vetmja rrugë duhet të jetë BE sa më shpejtë. Normalisht që kjo rrugë shkon përmes bisedimeve, përmes marrëveshjeve të cilat duhet të arrihen me vendet e BE-së. Nuk ka dyshim dhe mendoj se ASH është e qartë në këto linja.Ne kemi qenë të qartë edhe kur kemi mbështetur anëtarësimin e vendit në NATO. Mendoj se ASH është aktori kryesor që ka nisur këto ndryshime që sot të jemi pjesë e Aleancës së NATO-s dhe qytetarët të ndihen më të sigurt në këtë krizë ushtarake që po ndodh mes Rusisë dhe Ukrainës”, tha Sela.

Ai informoi se një pjesë e debatit me kryeministrin Kovaçevski, ka qenë edhe në lidhje me gjuhën maqedonase, duke treguar se kanë mirëkuptim për ndjenjat emocionale të secilit qytetarë, por se definicioi për gjuhën që flasin mbi 20 për qind e qytetarëve që është ndryshe nga gjuha maqedone, është fyese për shqiptarët dhe se në momentin kur do të bëhen ndryshimet kushtetuese , duhet të merret parasysh edhe ajo që në Kushtetutë të qendrojë edhe gjuha shqipe.

“Aleanca për Shqipëtarët do të insiston në këtë si parti politike. Dhe dëshiroj të shfrytëzojë mundësinë t’i bëj apel BDI-së edhe ata të merren me ndryshimin e këtij definicioni”, tha Sela.

Edhe nga Lëvizja BESA, nga ku tashmë kanë deklaruar se është i pranushëm propozimi francez, gjithashtu kërkojnë që gjatë ndryshimeve kushtetuese të hiqet pjesa 20 për qind dhe të shkruhet gjuha shqipe.

“Lëvizja BESA është informuar nga ana e Qeverisë rreth propozimit francez dhe konform vendimeve partiake Lëvizja BESA edhe njëherë konfirmon se do të pranojmë çdo propozim që hap rrugën e integrimit në BE dhe që i njejti nuk do cenonte interesat e shqiptarëve në vend. Poashtu pasi që propozimi francez në vete implikon ndryshime kushtetuese, ne për të dëshmuar konzistencën politike nga hapja e fundit e kushtetutës do të kërkojmë që të korigjojnë në kushtetutë terminologjinë “gjuha që flasin mbi 20% e popullatës” të zavendësohet me termin “gjuha shqipe”, theksuan nga BESA prej ku e përsëritën kërkesën për zgjedhje të parakohshme parlamentare sepse besojnë se Qeveria nuk ka kapacitet, kredibilitet dhe legjitimitet të menaxhojë me shtetin.

Lideri i VMRO-DPMNE-së opozitare Hristijan Mickoski edhe dje kërkoi që Kovaçevski ta hedhë poshtë propozimin ose të hiqen pikat e Raporteve vjetore ku i referohen Protokollit.

Propozimi, siç tha ai, “nuk duhet të kalojë në Kuvend por edhe nëse kalon do të jetë në fuqi”.

Bordi ekzekutiv i LSDM-së në pushtet, nga ana tjetër, dje vlerësoi se propozimi është bazë e mirë dhe, siç informojnë nga partia, plotësisht e mbështet Qeverinë që të vazhdojë procesin e konsultimit për marrjen e vendimit përfundimtar shtetëror.

Në ndërkohë, mesazhe dhe mbështetje për pranimin e propozimit dërguan ministri për Çështje Evropiane të Irlandës, Tomas Birn dhe ministrja finlandeze për Çështje Evropiane Titi Tupurainen në suaza të vizitës së tyre të përbashkët në vend.

Në ndërkohë, nga Komisioni Evropian informuan se sa më shpejtë që të jetë e mundur do të nxjerrin detaje për gjuhën maqedonase në marrëveshjen për Fronteks, të cilin Sofja deri tani e bllokon pikërisht për shkak të gjuhës sonë.

Sipas përfaqësuesve qeveritar të Maqedonisë së Veriut, korniza negociuese e propozuar nga kryesia franceze duhet ta zhbllokojë edhe marrëveshjen për Fronteks, të cilën Maqedonia e Veriut nuk ka mundur ta nënshkruajë deri tani për shkak të refuzimit të Bullgarisë në të të qëndrojë gjuha maqedonase.

Nga drejtorati i përgjithshëm për punë të brendshme të Komisionit Evropian, sërish, u përgjigjën, se shërbimet e tyre punojnë në këtë çështje dhe paralajmëruan se do të dërgojnë përgjigje.