Diplomoi gjenerata e katërt e studentëve të UNT-së
Shkup, 2 korrik – Me një ceremoni solemne dhe në prani të shumë mysafirëve, stafit akademik dhe prindërve, Universiteti “Nënë Tereza” në sheshin Skënderbeu në Shkup përmes ndarjes së certifikatave, përcolli gjeneratën e katërt të absolventëve, të përbërë nga 250 të diplomuar.
Siç kumtuan nga UNT-ja, në një atmosferë me shumë emocione, dhe në prani të ministrave, kryetarëve të komunave, deputetëve dhe diplomatëve, rektori i UNT-së akademik prof.dr. Izet Zeqiri porositi studentët që asnjëherë mos t’i mbyllim librat, por të punojnë që të arrijnë suksese sa më të mëdha, duke shtuar se UNT nuk do t’i haroj kurrë ata.
“Ne synojmë të prodhojmë profesionistë dhe ekspertë të fushave të ndryshme, që do jenë të barabartë me koleget dhe kolegët e tyre nga Bashkimi Evropian, pjesë e së cilit do jemi në të ardhmen. Unë uroj që të diplomuarit tanë, kudo që vendosin të ndërtojnë karrierën e tyre, të jenë në ballë të proceseve, të jenë menaxherë të kompanive, të paktën aty të aspirojnë”, deklaroi rektori Zeqiri.
Derisa, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri deklaroi se shtegtimi i studentëve për të arritur deri në diplomim është vërtetimi më i mirë se ka qenë e dobishme sakrifica për të themeluar këtë institucion.
Ndërkaq, kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, tha se UNT-ja ngadalë por sigurt, arriti që nga 220 studentë të regjistruar në gjeneratën e parë, sot të jetë shtëpi e mbi 3.000 studentëve. Fjalim pati edhe kryetari i Komunës së Sarajit, Blerim Bexheti, i cili tha se sot kjo dit do të mbetet në memorien e studentëve si ditë shumë e rëndësishme, një ditë e kthesës.
Poashtu, në fjalimin e tij drejtori i Fondit për Zhvillim dhe Inovacion Festim Halili deklaroi se sot studentët kanë mbyllur një kapitull të rëndësishëm të jetës por nuk është gjithçka, kjo ditë tani është fillimi i rrugëtimit të gjatë.
Në gjeneratën e katërt të UNT-së diplomuan 250 studentë, ndërsa studentët më të mirë të pesë fakulteteve u shpallën: Xhenete Aliji nga Fakulteti i Shkencave Informatike me notë mesatare 9.1, Fatime Ed’hemi nga Fakulteti i Shkencave Teknologjike me notë mesatare 9.61, Agon Shaini nga Fakulteti i Arkitekturës dhe Ndërtimtarisë me notë mesatare 9.80, Merlinda Ibraimi nga Fakulteti i Shkencave Teknike me notë mesatare 9.91, Kushtrim Ukshini nga Fakulteti i Shkencave Sociale me notë mesatare 9.93.

