Nju-Jorku ndalon armët në shumë vende publike pas vendimit të Gjykatës së Lartë

Shteti i Nju-Jorkut ka miratuar ligjin që ndalon mbajtjen e armëve në shumë vende publike, përfshirë “Times Square”, ndërsa aplikantët që kërkojnë leje për armë do të duhet të dëshmojnë aftësitë e tyre në të shtënat dhe t’u ofrojnë nëpunësve shtetëror profilet në rrjetet sociale për shqyrtim.

Ky ligji u miratua në seancë të posaçme legjislative dhe u nxit nga vendimi i Gjykatës së Lartë të javës së kaluar që rrëzoi ligjet kufizuese shekullore të Nju-Jorkut për armët.

Shumica e gjykatësve konservatorë të Gjykatës së Lartë vendosën për herë të parë në histori që Kushtetuta e SHBA-së garanton të drejtën për të mbajtur armë në publik për vetëmbrojtje.

Gjykata e Lartë vendosi se kërkesat për leje, të cilat kanë qenë në fuqi në Nju-Jork që nga viti 1911, u jepnin nëpunësve shtetërorë shumë mundësi për refuzimin e këtyre lejeve.

Guvernatorja demokrate e Nju-Jorkut, Keti Hoçull, thirri seancë urgjente dhe dekalroi se ligjet aktuale të Nju-Jorkut për armët kanë rezultuar që Nju-Jorku të ketë shkallën e pestë më të ulët të vdekjeve nga armët nga 50 shtetet federale.

“Shteti jonë do të vazhdojë të mbrojë qytetarët e Nju-Jorkut, pavarësisht vendimit të Gjykatës së Lartë”, deklaroi ajo në konferencë derisa deputetët debatonin projekt-ligjin.