Dëshmi nga skena e horrorit/ 46 persona të vdekur brenda një kamioni

Të paktën 46 persona janë gjetur të vdekur brenda një kamioni të braktisur në rrethinat e San Antonios në Teksas të SHBA. Viktimat mendohet se janë emigrantë dhe kanë humbur jetën si pasojë e të nxehtit. San Antonio është pranë kufirit me Meksikën dhe njihet si rrugë e rëndësishme e trafikut njerëzor

Është errësirë tani dhe vetëm disa automjete të zbatimit të ligjit dhe disa shirita policie, që rrethojnë një rrugë të errët, bëjnë të qartë se kjo është skena e një ngjarjeje me shumë të vdekur.

Viktimat, që supozohet se ishin emigrantë, me shumë gjasë vdiqën nga lodhja prej nxehtësisë ose nga dehidratimi.

Edward Reyna, një roje sigurie në një magazinë drurësh, vetëm disa metra larg, tha se nuk ishte befasuar kur mbërriti në turnin e natës dhe dëgjoi këtë lajm.

Ai thotë se ka parë raste pa fund kur emigrantët hidhen nga treni për të kaluar m’u pranë vendit ku u gjet kamioni.

“Mendoja se herët a vonë, dikush do lëndohej. Kartelet që i sjellin, nuk kujdesen për ta,” thotë Reyna.

Kjo histori është parë edhe më herët në San Antonio, por jo në këto përmasa.

Në vitin 2017, 19 emigrantë u gjetën të vdekur brenda një rimorkioje të ngjashme traktori jashtë një supermarketi- gjithashtu në anën jugore të qytetit.

Ana jugore e San Antonios është një korridor me dy autostrada kryesore që lidhin qytetin me qytetet kufitare të Teksasit.

Kryesisht komunitetet rurale, disa kantiere mbeturinash dhe një grusht lagjesh në zhvillim në këtë pjesë të qytetit e bëjnë të lehtë që një kamion me përmasa të tilla të kalojë pa u vënë re- derisa të mos ndodhë.