Një person i vrarë dhe dhjetëra të lënduar gjatë protestave në Ekuador
Pas dhunës disaditore në Ekuador, demonstruesit dje u përleshën edhe me ushtarët dhe policët në kryeqytetin Kito, por edhe në qytete të tjera të vendit, me ç’rast një person është vrarë, ndërsa dhjetëra të tjerë janë lënduar.
Popujt indigjenë ekuadorianë tashmë për të dymbëdhjetën ditë po protestojnë në Ekuador, me kërkesë drejt qeverisë për t’i ulur çmimet e derivateve, të vendosë kontroll ndaj çmimeve të ushqimit dhe të investojë më shumë në arsim.
Konfederata e popujve indigjenë, e cila e organizoi grevën, kumtoi se një person ka vdekur nga plagët e marra përderisa ka protestuar në afërsi të Kuvendit nacional.
Autoritetet pranuan se një person është vrarë, ndërsa ministri i Punëve të Brendshme shprehi revoltë për shkak të sjelljes policore. Ai deklaroi se qeveria nuk i ka miratuar policisë kurfarë përdorimi të armëve me municion dhe se dje ata kanë mbajtur vetëm gaz lotsjellës për t’i shpërndarë demonstruesit.
Një vullnetar shëndetësor për mediumet amerikane deklaroi se rreth 100 personave u është ofruar ndihmë mjekësore për shkak të lëndimeve në vendin e protestës, përfshirë edhe demonstrues, ushtarë dhe policë.
Demonstruesit janë pjesë e grevës më të gjerë nacionale, që Konfederata e popujve indigjenë e filloi më 14 qershor dhe me të kërkon ulje të çmimeve të derivateve, vendosje të kontrollit të çmimeve të prodhimeve bujqësore dhe miratim të buxhetit më të madh për arsim

