Si reflektojnë te votuesit shqiptarë përplasjet brenda partiake dhe largimi i deputetëve?
Shkup, 17 qershor – Nuk ka parti politike në vend, në rajon e botë që nuk ka patur pakënaqësi ndonjëherë dhe përplasje brenda partiake mes kryesisë. Qytetarët ndoshta edhe janë mësuar duke parë raste dhe ngjarje të tilla e duke i quajtur ato si cirk politik, e duke i komentuar se secili shikon interesin e vet që nëse nuk ka interes përfitimi në ndonjë çështje, nuk i futet asaj pune, shkruan Zhurnal.
Përplasjet brenda partiake gjithsesi se nuk reflektojnë pozitivisht te qytetarët dhe anëtarët e një partie të caktuar, mirëpo demokracia duhet të mbisundojë te secila parti, dhe kështu, secili anëtar i partisë të ketë të drejtën të shprehë mendimin e tij të lirë.
Në Maqedoninë e Veriut nuk është se kemi patur raste të shumta sa i përket përçarjeve brenda partiake. Rasti më delikat dhe më i madh që ndodhi ishte kur tetë deputetët e VMRO-DPMNE-së kaluan si të pavarur dhe votuan për hapjen e Kushtetutës së Maqedonisë dhe për ndryshimin e emrit të shtetit. Gjithsesi se këta tetë deputetë kishin interesat e veta personale sepse gjysma e tyre ndjekeshin nga organet e rendit për krime të kryera, dhe kështu, që nga ajo ditë, të njejtët kanë harruar më se ku ndodhet gjykata për t’u marë në pyetje.
Kemi dhe çështje të tjera më madhore kur bëhet fjalë për mendime ndryshe nga partia, siç ishte edhe rasti me deputetin Kastriot Rexhepi. Ai, së paku sipas asaj që ka thënë deri tani, e vendosi interesin shtetëror para atij partiak, dhe veproi në kundërshtim me vendimin e partisë, duke mos u paraqitur në ditën kur duheshte të rrëzohet qeveria, ndërsa vota e tij ishte kyçe për këtë. Me 60 vota, opozita nuk arriti të mposhtë dhe të rrëzojë Qeverinë. Kastriot Rexhepi si arsyetim për kundërshtimin e vendimit të partisë, pati thënë se ai është i bindur që në dhjetor Maqedonia e Veriut do të marë datë sepse për këtë sipas tij, kishte garanca edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Edhe sot e asaj dite, Rexhepi nuk është penduar për veprimin që ka bërë, por për këtë veprim, ai ngeli pa shokët e partisë. Kastriot Rexhepi, për mendimin ndryshe të tij, u përjashtua nga partia.
Në Bashkimin Demokratik për Integrim gjithashtu ka patur fërkime të shumta brenda partiake, sidomos që nga koha kur Artan Grubit iu besuan procese të rëndësishme shtetërore dhe partiake. Anëtarë të shumtë të partisë shprehnin revoltën e tyre kundër Grubit dhe kreut të partisë Ahmeti. Deputeti i kësaj partie Izet Mexhiti, haptazi dilte në Kuvend dhe në media duke kritikuar Artan Grubin. Madje ai disa herë vinte në pikëpyetje veprimet e tij në Parlament, duke paralajmëruar se nuk do të jetë në krah me shumicën për çështje të ndryshme. Mirëpo ndonëse pati aq shumë zhurmë, BDI ngeli e konsoliduar dhe vullkani nuk shpërtheu për t’u derdhur lava. Izet Mexhiti edhe më tej është pjesë e BDI-së ndërsa mos marrëveshjet si duket tani për tani janë lënë anash.
Së fundmi kemi edhe një rast të freskët të largimit nga partia amë, atë të Skender Rexhepit – Zejd. Zejdi zyrtarizoi largimin e tij nga partia duke thënë se do të veprojë si deputet i pavarur. Ky vendim erdhi pasi ai nuk mund të merej vesh me krerët tjerë të partisë lidhur me çështje të ndryshme. Këto mosmarrëveshje mes tij dhe partisë nuk janë diçka e re, sepse edhe në të kaluarën sidomos vitin e fundit, Rexhepi dhe krerët e partisë publikisht hedhnin spine njëri tjetrit.
Publiku i gjerë si duket nuk po i mirëpret këto vendime të deputetëve të cilët largohen nga partitë, duke i quajtur si tradhëtarë dhe duke i etiketuar me fjalë “tani u pa se kush je”. Komente të shumta në rrjetet sociale kishte për deputetin Kastriot Rexhepi kur vendosi të fshihej ditën e votimit, ndërsa edhe tani pati kundër Zejd Rexhepit për vendimin e tij për largim nga partia. Zejd Rexhepi u gozhdua nga komentet negative kundër tij duke thënë se është paguar nga VMRO-DPMNE, ndërsa edhe vet Alternativa tha se veprimi i tij lë dyshime se ndodhi pikërisht në prag të protestave masive të VMRO-DPMNE-së.
Përplasjet brenda partiake para disa vitesh madje e ndau një parti në dy degë. Alternativa u formua si rezultat i përçarjeve brenda partiake në Lëvizjen Besa. Bilall Kasami dhe Afrim Gashi luftonin mes vete se cili është kryetari legjitim i kësaj partie, por pasi Gjykata vendosi se Bilall Kasamit i takojnë vulat e partisë, Afrim Gashi me shokë vendosën të formojnë partinë e re Alternativa, ndërsa pikërisht Zejd Rexhepi ishte një nga themeluesit e kësaj partie.
Përplasjet brenda partiake duhet të ngelin brenda partiake
Analisti politik, Faton Aliti, në një prononcim për Zhurnal duke komentuar fërkimet dhe përplasjet e fundit në partitë shqiptare Alternativa dhe Lëvizja Besa, u shpreh se është normale të ketë mendime ndryshe në cilëndo parti politike, mirëpo mirë do të ishte që këto mosmarrëveshje të ngelin brenda partisë, dhe të mos publikohen sepse natyrisht, që këto përplasje reflektojnë negativisht te opinioni publik dhe te votuesit e tyre.
Sipas tij, debati i brendshëm sjellë kualitet.
“Në interes të të gjitha partive është që mos marrëveshjet e brendshme të mos jenë temë debati në opinion. Këto mosmarrëveshje te anëtarët e tyre sigurisht se nuk reflekton mirë por nga ana tjetër duhet të shihet edhe si një zhvillim i proceseve dhe zhvillim pozitiv. Gjithsesi se kjo te votuesi dhe anëtari ndikon negativisht por dalë ngadalë duhet pak më me qetësi t’i pranojmë mendimet ndryshe edhe pse vijnë nga individë të partive të njejta politike. Mendoj se debati i brendshëm sjellë kualitet. Ato duhet të mbahen brenda por edhe kur nuk mundet, mendoj se nuk është ndonjë tragjedi sepse ka të bëjë me një mendim të lirë”, u shpreh Aliti për Zhurnal.
Ai është i mendimit se jo çdo mendim i tyre duhet të vlerësohet si mendim i kundërshtarit sepse çdosecili prej tyre për qëllim ka më të mirën e partisë, andaj shprehet se debati ndoshta duhet të jetë edhe i ashpër, por në fund secili duhet të respektojë vendimet e shumicës.
“Jo çdo mendim duhet të konsiderohet si i kundërshtarit, ndoshta duhet të pranohet si një kontribut për më mirë por gjithmonë për të patur kompaktësi dhe sukses, këtë debat duhet ta mbajnë brenda vetes, le të jetë i ashpër, por në fund duhet t’i përmbahet vendimit të shumicës brenda subjektit”, ka deklaruar Faton Aliti.
Përndryshe si deputetë të pavarur për momentin në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut veprojnë gjithsej katër deputetë. Zeqir Ramçilloviq, Sanella Shkrijelj, ndërsa së fundmi i janë bashkangjitur dhe Kastriot Rexhepi e Skender Rexhepi. Deputetë të Pavarur tani ka më tepër se sa që ka vet Alternativa dhe vet Lëvizja Besa./Zhurnal.mk

