Bytyqi: Vetëm së bashku dhe me bashkëpunim të ndërsjellë mund të tejkalohet kriza
Venecia, 10 qershor – Ne jemi vend i vogël aspirues për anëtarësim në BE por mund të jemi faktor i cili në mozaikun e përbashkët të BE-së do të jetë pjesë e që nuk duhet të anashkalohet, porositi sot zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi nga Venecia, Itali, ku me ministrin pa Resor i Angazhuar për Diasporën, Xhemail Çupi, kryetarë të komunave dhe përfaqësues të Odave Ekonomike të Maqedonisë së Veriut morën pjesë në Forumin e Biznesit të kryetarëve të komunave dhe afaristëve të të dyja vendeve.
“Këto dy ditë i prezentojmë mundësitë për konceptin Near m-shoring dhe për zinxhirin e vlerave që mund ta sjellim në vendin tonë. Pasi e pamë se bashkëpunimi i ndërsjellë është i pashmangshëm me të gjitha vendet që janë pjesë e Evropës”, potencoi Bytyqi.
Zëvendëskryeministri porositi se në sfidën e re në të cilën ndodhet Evropa, ndërsa kjo është lufta në Ukrainë dhe kriza ekonomike së bashku me krizën energjetike, vetëm të integruar bashkërisht me bashkëpunim të ndërsjellë dhe solidaritet mund ta mbizotërojmë këtë krizë.
Munir Shemsi, kryetar i Asociacionit “API NORTEST” dhe organizator i takimit në Itali, sqaroi se projekti “API” në të ardhmen do të bëhet odë ekonomike, si edhe se kanë projekt që të bëhet shkollë profesionale ndërtimore në Maqedoni për persona mjekësorë.
“Shpresojmë se kjo do të jetë urë midis dy vendeve tona dhe do të kemi bashkëpunim të frytshëm”, potencoi Shemsi.
Nënkryetari i Bashkisë së Venecias, Simone Venturini, porositi se ata kanë nevojë për bashkëpunim institucional në rrafshin ekonomik dhe theksoi se është i bindur se “API” do të sjellë në vend të gjitha këto synime që i ka projektuar.
Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve se si do ta realizojë Maqedonia këtë projekt, zëvendëskryeministri Bytyqi tha se Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut i ofron të gjitha përfitimet, sipas tij, ndoshta më të mirat në EJL.
“Edhe pse ne aspirojmë anëtarësimin në BE, ne jemi plotësisht në përputhje me direktivat e BE-së dhe vetë fakti që jemi anëtare të NATO-s tregon se jemi një vend për investime të sigurta. Për të gjitha kompanitë italiane kjo do të thotë vetëm 12 orë larg me çdo transport deri në vendin e tyre në Itali. Unë gjithmonë them se 12 orë janë sigurisht më pak se 120 apo 180 ditë. Ne jemi të gatshëm me infrastrukturë të plotë siç është infrastruktura e komunikacionit por edhe infrastruktura ligjore që duhet t’i lidhë kompanitë”, sqaroi Bytyqi.

