Profesorët nga “Shën Kirili dhe Metodi” kërkojnë paga më të larta, a mund të bëhet nga shtatori?
Shkup, 2 qershor – Lidhja e Sindikatave të Universitetit “Shën Cirili dhe Metodi” ju bëri thirrje të punësuarve, kuadrit arsimor dhe joarsimor të UCM-së, sot me protestë paralajmëruese para Rektoratit të shprehin pakënaqësinë pse nuk u janë rritur pagat dhe nuk është nënshkruar Marrëveshja Kolektive. Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri për paralajmërimin e tyre për protestë u përgjigj se para për paga më të larta janë paraparë nga shtatori dhe bëri thirrje që të mos dëmtohet sesioni i qershorit.
“Bashkërisht ta shprehim revoltën dhe pakënaqësinë nga sjellja injoruese e organeve kompetente drejt Universitetit dhe mosnënshkrimin e Marrëveshjes Kolektive të UCM-së për realizimin e kërkesave tona për rritjen e pagave”, thuhet në kumtesën e Lidhjes së Sindikatave të Universitetit, i cili propozimin për protestë të qetë e ka miratuar në mbledhjen e mbajtur më 27 maj.
Ministri Shaqiri bëri thirrje që protesta të jetë paralajmërim. e jo kërcënim për sesionin e qershorit dhe të mos dëmtohen studentët. Rritje të pagave në arsimin e lartë, tha ai, do të ketë nga shtatori dhe kjo është paraparë me ribalancin e buxhetit.
“Në ribalancin e buxhetit është nisur procedurë edhe nga ministrja paraprake, parashikohen mjete për paga më të larta në arsimin e lartë. Ata paralajmëruan se ditën e parë do të kenë një protestë paqësore, pastaj pres që javën e ardhshme të kemi një takim për të parë para seancës së qershorit që studentët të mos kenë pasoja dhe ta kuptojnë këtë proces”, tha Shaqiri duke iu përgjigjur një pyetjeje gazetarëve gjatë një vizitë në shkollën fillore “26 Korriku” në komunën e Shuto Orizarit.
Ai theksoi se është i hapur për bashkëpunim dhe njëjtë siç kishte dialog social për arsimin fillor dhe të mesëm, pret që ashtu të jetë edhe me sindikatën e arsimit të lartë.
Sipas Shaqirit, duhet të diskutohen mënyrat e financimit, të cilat janë të ndryshme për institucionet e arsimit të lartë dhe se nëse buxhetet organizohen mirë, siç tha ai, mund të arrihet sukses më i madh.
Në pyetjen se çka nëse protesta në arsimin e lartë rritet në grevë ose bojkot të sesionit të qershorit për dhënien e provimeve, Shaqiri u përgjigj se sikur për grevën në shkolla, është kundër kërcënimeve për ndërprerje të mësimit.
“Këtë nuk e shoh si veprim të mirë të sindikatës sepse as unë dhe as Qeveria nuk kemi thënë ndonjëherë se nuk do të ketë bisedime dhe ndërprerje të bisedimeve dhe se nuk do të kenë kushte më të mira. Në negociatat me SASHK-un kemi kërkuar mirëkuptim për disa tregues ekonomikë që nuk vareshin vetëm nga arsimi, por edhe nga zhvillimet ekonomike që nuk janë vetëm në vendin tonë, por edhe në rajon dhe më gjerë. Pra, nëse këto janë kërcënime, le të jenë paralajmërim, le të realizohen seancat e provimit”, tha Shaqiri.

