BE: Maqedonia e Veriut gradualisht ta ulë deficitin primar deri në nivelin prej para krizës
Shkup, 25 maj – Këshilli i BE-së sot i publikoi rekomandimet e tij nga dialogu i djeshëm i përbashkët për ekonomi dhe financa ndërmjet Unionit dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë, në të cilin çdo vend parashtroi planet e tij, informon korrespondentja e MIA-s nga Brukseli.
Bashkimi Evropian për Maqedoninë e Veriut rekomandon që të shfrytëzohet hapësira fiskale në Buxhetin për vitin 2022 që të zbuten pasojat potenciale nga goditjet ekonomike përmes mbështetjes së targetuar për amvisëritë dhe firmat më të goditura. Vendi do të duhej që në planin e tij afatmesëm për Buxhetin për vitin 2023 të parashikojë ulje graduale të deficitit primar që të kthehet në nivelin e tij para krizës, gjegjësisht në vitin 2019, rekomandon BE.
Unioni konsideron edhe se duhet të krijohet një njësi për menaxhim me investimet publike në Ministrinë e Financave dhe të sigurohet funksionimi i saj adekuat. Rekomandohet edhe reformë gjithëpërfshirëse tatimore dhe ndryshime ligjore përmes të cilave do të kontribuohet për rritje të të ardhurave me atë që do të zgjerohet baza tatimore.
Rekomandimi i dytë për pjesëmarrësit në dialogun ekonomik-financiar është që të parashtrohet ligj i ri për partneritet publiko-privat në Kuvend. Zbatimi i këtij partneriteti të sigurohet përmes regjistrit funksional për partneritet publiko-privat, si dhe monitorim qendror i të gjitha rreziqeve fiskale nga ana e Ministrisë së Financave.
BE-ja dhe Maqedonia e Veriut janë pajtuar se është e nevojshme që me kujdes të analizohet zhvillimi i çmimeve dhe të jemi të gatshëm për shtrëngimin e politikës monetare që të ruhet qëndrueshmëria e çmimeve në afat të mesëm. Është me rëndësi që të ruhet edhe pavarësia e bankës qendrore, tha BE-ja, dhe për këtë qëllim të përjashtohet Banka Popullore nga ligji për nëpunës publikë.
Rekomandohet, gjithashtu, se duhet të shfrytëzohet lista e të dhënave të shënuara parafiskale që ata të vlerësohen dhe optimalizohen në nivel qendror dhe lokal. Digjitalizimi i shërbimeve publike për bizneset dhe qytetarët duhet të përforcohet dhe të miratohet strategji e re gjithëpërfshirëse për formalizimin e ekonomisë gri për periudhën 2023-2025, qëndron në dokumentin e Këshillit.
BE-ja rekomandon që pastaj të rritet edhe numri i të punësuarve në Departamentin e Energjisë së Ministrisë së Ekonomisë. Është e nevojshme që të miratohet dhe zbatohet legjislacioni për efikasitetin energjetik, si dhe të krijohet Fond për Efikasitet Energjetik siç është paraparë.
Rekomandimi i gjashtë i cili del nga Dialogu është që të zhvillohet trajnim me fokus në përfshirjen dhe nevojat e tregut të punës, si dhe metodologji e re për këtë qëllim, pastaj të vazhdohet me përpjekjet për përforcim të politikave për qasje në tregun e punës, veçanërisht për të papunët me kompetenca të ulëta dhe për personat në situata të ndjeshme.
Rekomandimet janë rezultat i takimit të mbajtur dje ndërmjet përfaqësuesve të Komisionit Evropian, Bankës Qendrore Evropiane, bankave qendrore të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të Turqisë, si dhe përfaqësues qeveritarë nga këto shtatë shtete

