Shkon në 71 numri i rasteve të lisë së majmunit në Mbretërinë e Bashkuar
Virusi i lisë së majmunit është identifikuar te 14 persona të tjerë në Angli, duke e çuar numrin e përgjithshëm të rasteve në Mbretërinë e Bashkuar në 71, thonë zyrtarët shëndetësorë.
Sipas BBC, ata po gjurmojnë kontaktet e afërta me rrezik të lartë të rasteve për t’i këshilluar ata që të izolohen në shtëpi për 21 ditë.
Një vaksinë kundër lisë po ofrohet për të parandaluar shfaqjen e simptomave të tyre.
Agjencia e Sigurisë Shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar (UKHSA) thotë shumë nga 71 personat e infektuar deri më tani kanë qenë homoseksualë, biseksualë ose burra që kanë marrëdhënie seksuale me burra – dhe në veçanti iu ka kërkuar këtyre grupeve që të tregohen të vetëdijshëm për simptomat.
Por lija e majmunëve nuk është një sëmundje seksualisht e transmetueshme dhe ekspertët theksojnë se sëmundja nuk prek një komunitet më shumë se çdo tjetër, kështu që nuk duhet të ketë stigmë.
Virusi, i cili zakonisht është një infeksion i lehtë, përhapet përmes kontaktit të ngushtë me varrë në lëkurë, nga çarshafët dhe peshqirët e përdorur nga një person i infektuar – dhe përmes kollitjes dhe teshtitjes së tyre.
Rreziku i përgjithshëm për publikun është i ulët, thotë UKHSA, pavarësisht rritjes së rasteve në mes të shpërthimit më të madh të lisë së majmunëve jashtë Afrikës.
Deri më tani në këtë shpërthim, i cili filloi në fillim të majit, është raportuar për 131 raste të lisë së majmunëve në më shumë se 15 vende.

