Dendias sot fillon vizitën në Shkup
Shkup, 25 maj – Shefi i diplomacisë greke Nikos Dendias sot do të qëndrojë në një vizitë njëditore në Maqedoninë e Veriut, ndërsa është paraparë në Shkup të takohet me ministrin e Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, të pritet nga kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe të marrë pjesë në darkën e punës të organizuar nga Osmani dhe zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq, njofton korrespondentja e MIA-s nga Athina.
“Gjatë vizitës së ministrit të Punëve të Jashtme, pritet që bisedimet të fokusohen në zbatimin e plotë, konsekuent dhe qëllimmirë të Marrëveshjes së Prespës, në përforcimin shtesë të marrëdhënieve bilaterale në të gjitha sferat, përfshirë edhe ekonominë, tregtinë dhe energjetikën, si dhe në perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut. Në bisedime pritet të përfshihen edhe ngjarjet në Ballkanin Perëndimor dhe Mesdheun Lindor, si dhe situata në Ukrainë pas invazionit rus”, kumtuan nga MPJ-ja greke në prag të vizitës së Dendiasit.
Në pajtim me agjendën, pas takimit me Osmanin, në orët e pasdites do të pasojnë edhe deklarata për mediat.
Kjo është vizita e tretë e Dendiasit në Maqedoninë e Veriut, e para ishte në nëntor të vitit 2019, e dyta në gusht vitin e kaluar ndërsa shefi i diplomacisë së vendit tonë, Bujar Osmani e vizitoi Athinën në janar të vitit 2021.

