Kuvendi duhet ta vazhdojë seancën e 71-të

Shkup, 25 maj – Deputetët sot duhet ta vazhdojnë debatin për pikat e rendit të ditës në seancën e 71-të plenare, e cila filloi të hënën me debat për propozim-ligjin e plotësuar për stabilitet financiar.

Në rend dite të seancës janë raportet vjetore për vitin 2021 për punën e Këshillit Gjyqësor, Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, si dhe raporti i Avokatit të Popullit për nivelin e garantimit, promovimit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe liritë në 2021.

Deputetët duhet të diskutojnë edhe për propozimin për kandidat për nënkryetar të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe për interpelancën për punën e kryetares së Komisionit për sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, Sonja Mirakovska.

Në rend dite është edhe propozim-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tregtinë, me procedurë të shkurtuar, si dhe propozim-ligji për plotësimin e Ligjit për mjedisin jetësor dhe propozim-ligji për ndryshimin e Ligjit për marrëdhëniet e punës.