Kanadaja i vendos sanksione miliarderit rus Lebedev, pronar i “Indipendent” me qendër në Londër

Kanadaja i ka vendosur sanksione Aleksandër Lebedevit, ish agjent i KGB-së, ndërsa për momentin pronar i gazetave britanike “Ivning Standard” dhe “Indipendent” dhe financues i “Nova gazeta”, gazetës lidere opozitare ruse.

Lebedev është një nga 13 personat e rinj që janë përfshirë në sanksionet e fundit që Kanadaja i publikoi dje ku janë të përfshirë oligarkë që lidhen me regjimin e presidentit rus Putin.

Pakoja e sanksioneve që përfshinë mallra në vlerë prej 75,7 milion dollarë përfshinë ndalesën e disa mallrave luksoze nga Rusia duke përfshirë, havjar, diamante dhe vodka.

Kanadaja gjithashtu ndalon produkte që mund të përdoren për të prodhuar armë në Rusi.

Sipas “Globe and Mejl”, në mesin e të sanksionuarve janë Gleb Frank, pronar i një prej kompanive më të mëdha të peshkimit në Rusi dhe djali i Sergej Frankut, ish-ministër i Transportit dhe ish drejtor ekzekutiv i “Sovkomflot”, kompania më e madhe ruse e anijeve.