Pse nuk zbatohet modeli grek në Maqedoninë e Veriut për t’i ndihmuar qytetarët me nga 600 euro kompensim?
Shkup, 20 maj – Maqedonia e Veriut sikurse shumë vende të rajonit e në botë ndodhet në krizë të thellë e të shumëfish, por qytetarët janë atë që e përjetojnë më së rëndi çdo krizë. Pas pandemisë kriza ekonomike ka rrënuar qytetarët në gjendjen socio-ekonomike, me çka shumë të rinj po dorëzohen e nuk po munden ta përballojnë dot rritjen ekstreme të çmimeve, dhe po vendosin të largohen të shkojnë aty ku ka rritje çmimesh por ka edhe rritje të hyrave, shkruan Zhurnal.
Rritja e çmimeve u bë traditë e zakonshme në vendin tonë, së pari u rrit çmimi i energjisë pastaj i derivateve të naftës, duke vazhduar me rritjen e çmimit të produkteve bazë ushqimore, e duke përfunduar me rritje të çmimeve për secilin produkt e shërbim.
Por a është menduar ndonjëherë se qytetarët mund edhe të dorëzohen, sepse janë mbështetur për muri dhe nuk u ka mbetur rrugë e alternativë për shpëtim nga ky maltretim ku ata nuk jetojnë por luftojnë për të mbijetuar. A i mungon Maqedonisë së Veriut një program kombëtar për mbështetje?. Një i tillë sapo është bërë publik në shtetin fqinj, Greqi.
Me një mesazh televiziv drejtuar popullit grek kryeministri, Kyriakos Mitsotakis, ka shpallur një Program të ri Kombëtar të Mbështetjes, për tu ardhur në ndihmë gjithë qytetarëve të përballojnë çmimet e larta të faturave të energjisë elektrike.
“Përderisa reagimi i BE po vonon, nuk mund të prisja më, pasi vështirësitë për çdo familje e biznes janë të mëdha“- ka thënë ai.
Kyriakos Mitsotakis: Shteti do të kthejë në llogarinë bankare individuale të çdo pronari të një banese private apo me qira, 60% të të gjitha tarifave shtesë të bëra, në mënyrë retroaktive nga dhjetori deri në maj. Kufiri i këtij kompensimi të jashtëzakonshëm do të jetë 600 euro dhe do të prekë të gjithë bashkëqytetarët tanë me të ardhura vjetore deri në 45 mijë euro.
Gjithashtu për muajt maj dhe qershor, çdo rritje e konsumit mbi 300 KWh do të mbulohet me 50% të shumës -ka thënë ai -duke shtuar se kompanitë energjetike do të paguajnë pjesën e tyre të solidaritetit me shoqërinë dhe të ardhurat e tyre shtesë konjukturore do të tatohen me një tarifë të veçantë prej 90%.
“Pavarësisht nga vendimet evropiane, qeveria greke, me iniciativën e saj, do të nisë që në korrik një sistem që shkëput rritjen e çmimit ndërkombëtar të gazit nga faturat e energjisë elektrike të vendit. Kohëzgjatja e kësaj skeme do të jetë deri në një vit”, ka deklaruar Mitsotakis.
Kreu i qeverisë greke ka pohuar se në javët në vijim nis edhe programi “Ricikloni – ndërroni pajisjen”, i cili rimburson të gjithë ata që do të blejnë kondicionerë dhe frigoriferë të rinj duke i ndërruar ata me pajisjet e vjetra që konsumojnë shumë më tepër energji elektrike.
Kishte më shumë se dy muaj që reagimi i qytetarëve grekë kishte arritur kulmin pas faturave tepër të larta të energjisë që ishin trefishuar apo katërfishuar dhe familjet e bizneset nuk mund ti paguanin.
Ndërkohë qeveria dhe vetë kryeministri grek ishin bërë objekt kritikash të partive opozitare që akuzonin, se ai dhe ministrat e tij, mbronin interesat e kompanive të energjisë elektrike, të cilat kishin regjistruar muajt e fundit fitime kolosale.
Një model i tillë duhet të zbatohet edhe në Maqedoninë e Veriut, pasi edhe këtu në vend çmimet e energjisë janë tejet të larta dhe të papërballueshme për qytetarët.
Por një mbështetje e tillë po mungon për faktin se nuk ka opozitë të mirëfilltë që kritikon qeverinë, apo se qytetarët janë në “gjumë dimëror”.
Mungesa e përkrahjes serioze e jo simbolike në kohë krize për qytetarët është tregues se qytetari nuk vlerësohet por vetëm shfrytëzohet si makineri votuesish kur ata kanë nevojë për pushtet.
Pushteti jepet nga qytetarët e pranohet nga pushtetarët për të udhëhequr me vendin e për të ndihmuar qytetarët, e jo për t’i lënë anash e duke luftuar për të mbijetuar. Sepse nëse më herët qytetarët kanë dënuar me votë, tani po dënojnë me largim prej vendit, po ikin për mos të kthyer asnjëherë, vetëm për pushime e për mbushje me energji e motiv për faktin se nuk jetojnë këtu.
Marrëveshja e Prespës me Greqinë e futi Maqedoninë e Veriut në NATO, tani modeli grek i mbështetjes së qytetarëve do ta kishte ndihmuar edhe qytetarin e Maqedonisë së Veriut në këtë kohë krize. Duhet vetëm të kërkohet e kritikohet, detyra e qeverisë e obligim është zbatimi i asaj që është jetike për qytetarët, në këtë rast jetike është edhe një formë e tillë e ndihmës. /Zhurnal.mk

