Po përgatitet kërkesë e re për ekstradimin e Gruevskit nga Hungaria
Shkup, 10 maj – Po përgatitet kërkesë e re për ekstradimin e ish kryeministrit Nikolla Gruevski i cili para tre viteve iku në Budapest, Hungari. Ministri i drejtësisë, Nikolla Tupançevski, sot theksoi se po shqyrtohet të dërgohet kërkesë e re për ekstradimin e tij në Maqedoni, informon Zhurnal.
Ai ka aktvendim të plotfuqishëm për vuajtje të dënimit me burg në rastin “Tanku”. Më pas një tjetër dënim me burg ka ardhur edhe për “Parcelat në Vodno” ku Gruevski fitoi shtatë vite burg.
Kërkesa e fundit nga Maqedonia për ekstradimin e Gruevskit ka qenë më 13 qershor 2019.
Në fund të vitit të kaluar Gruevskit i pati skaduar mandati i azilit politik prej tre viteve, por nga Hungaria zyrtarisht ende nuk e kanë informuar Ministrinë e Drejtësisë për statusin momental të tij.
Ndryshe Gruevski në vitin 2018 pati ikur nga Maqedonia pasi iu shqiptua dënimi me burg prej 2 viteve në rastin “Tanku”. Ai iku përmes Shqipërisë, Malit të Zi dhe Serbisë, me destinacion të fundit, Hungaria./Zhurnal.mk

