Xhaferi: BE-ja të konfirmojë datën për fillim të negociatave, të mos ketë më shtyrje

Shkup, 6 maj – Është e domsodoshme Bashkimi Evropian pa shtyrje ta konfirmojë datën për mbajtje të konferencës së parë ndërqeveritare, me të cilën do të shënohet fillimi i negociatave për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë dhe kjo më mirë është të ndodhë gjatë kryesimit francez me BE-në, theksoi sot kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi gjatë fjalimit në Konferencën e 18-të Adriatiko-Joniane me temë “Integrimi evropian: Ballkani perëndimor, vlerë e shtuar e Rajonit të Adriatikut-Jonit dhe Bashkimit Evropian”, që po mbahet në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë.

“Edhe pse çdo shtet individualisht ka strategjinë e vet dhe i ndërmerr hapat e duhura për mbrojtjen e integritetit dhe sovranitetit të vet territorial, përsëri, edhe përgjegjësia për stabilitetin në rajon dhe integrimin e tij evropian është po ashtu obligim i çdo shteti veç e veç. Për Republikën e Maqedonisë së Veriut, anëtarësimi në Aleancën e NATO-s do të thotë të jesh pjesë e përpjekjes për ruajtjen e paqes dhe gjithsesi se ajo që jemi bashkë dhe të unifikuar nën atë ombrellë të përbashkët na jep ndjenjën e fuqisë dhe sigurisë dhe në të njëjtën kohë, ka ndikim shumë pozitiv edhe mbi gjithë rajonin, bile edhe më gjerë”, tha Xhaferi.

Për ne si shtete aspiruese është shumë me rëndësi që në suazat e Nismës Adriatike-Joniane të intensifikojmë bashkëpunimin ndërmjet parlamenteve dhe trupave parlamentarë rreth asaj që do na ndihmojë në reformat tona a në të njëjtën kohë do të mund ti artikulojmë interesat tonë, pyetjet tona dhe ndonjëherë mundet edhe dilemat në Parlamentin Evropian por edhe para institucioneve tjera të Bashkimit Evropian.

Ai shprehi mbështetje për EUSAIR-in (Strategjinë e Bashkimit Evropian për Nismën Adriatiko-Joniane), si mjet i dobishëm për bashkëpunimin ekonomik ndërmjet vendeve anëtare dhe vendeve kandidate për anëtarësim.

“E çmojmë lartë rolin e Nismës në rritjen e bashkëpunimit rajonal dhe inkurajimin e procesit të zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor. Si vende, si rajon, duhet të kthehemi njëri ndaj tjetrit, gjithmonë, dhe në çdo formë të nismës, bashkëpunimit, projektit të përbashkët dhe bashkëpunimit multilateral, që të jemi tërheqës dhe konkurrues në tregjet e mëdha botërore. Kjo do të kontribuojë për mirëqenien e qytetarëve, shteteve dhe rajonit tonë”, tha ai.

Xhaferi theksoi se janë të vetëdijshëm se konferencat e këtilla janë kryesisht të dobishme për nxitjen e bashkëpunimit të ndërsjelltë parlamentar në fusha të interesit të ndërsjelltë, siç janë për shembull ekonomia, transporti dhe lidhjet, mbrojtja e mjedisit jetësor, shkenca dhe kutlura, si dhe ta inkurajojnë zhvillimin e formave adekuate të bashkëpunimit tejkufitar për çështje të interesit të përbashlët në rajonin e Adriatikut-Jonit.

“Për fat të keq, situata e sigurisë në Ukrainë na kthen edhe në njërin nga qëllimet gjatë formimit të Nismës në Ankona më 20 maj të vitit 2000 si propozim i Italisë, respektivisht, përforcimin e sigurisë të vendeve në rajon dhe nxitjen e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian. Tani, kjo është e nevojshme më shumë se kurdoherë, duke e pasur parasysh se agresioni rus mbi Ukrainën tregoi se sa është i rëndësishëm zgjerimi i Bashkimit Evropian për sigurinë, stabilitetin dhe konsolidimin demokratik të gjithë rajonit”, shtoi Xhaferi.

Ai përkujtoi se Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut më 3 mars të këtij viti e miratoi “Deklaratën për dënimin e atakëve luftarakë që e rrezikojnë integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës,” ku ndër të tjerat, nga institucionet kompetente kërkohet të jenë në koordinim të ngushtë me vendet anëtare të NATO-s dhe BE-së në raport të angazhimit të përbashkët për mbështetjen e përpjekjeve diplomatike për një ndërprerje urgjente dhe të pakushtëzuar të veprimeve luftarake në territorin e Ukrainës.

“Kjo është diçka për të cilën do të angazhohem edhe personalisht, sepse akoma i kam para syve imazhet pikëlluese të qyteteve të rrënuara në Ukrainë, që i pash gjatë vizitës sime të paradokohshme në Kiev. Agresioni mbi Ukrainën është diçka që nuk guxonte të lejohet të ndodhë. Është turp dhe dobësi e gjithë botës bashkëkohore dhe demokratike me “gjoja se” vlera të mësuara dhe të ndara. Në të njëjtën kohë, na tregoi se akoma jemi shumë të dobët dhe të brishtë dhe se ekziston mundësi për derdhjen e luftës, sidomos nëse qëndrojmë të vetmuar përballë erës” shtoi Xhaferi.