Bllokada në Kuvend e ndanë opozitën shqiptare, Besa pro Aleanca kundër
Shkup, 5 maj – Së fundmi është njoftuar populli që të zgjedhurit e popullit do të bllokojnë punën e tyre për interesa të tyre, kryesisht për të fituar pushtet. VMRO vendos të bllokojë Kuvendin nga 10 maji duke kërkuar zgjedhje të parakohshme, vendim i cili e ndanë opozitën shqiptare në dysh, Lëvizja Besa është pro bllokadës së Kuvendit, ndërkaq Aleanca për Shqiptarët është kundër. Ajo që i bashkon të gjithë partitë opozitare si shqiptare si maqedonase janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, shkruan Zhurnal.
Në zgjedhjet e fundit lokale në gusht të vitit 2021, Aleanca për Shqiptarët ishte në koalicion me Alternativen qysh nga zgjedhjet e fundit parlamentare dhe kishin nënshkruar marrëveshje që koalicioni i tyre të zgjatë deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Por pas zgjedhjeve lokale ku humbësi më i madh ishte Alternativa kjo marrëveshje u prish Alternativa doli nga ky koalicion për tu futur në qeveri.
Atë kohë Lëvizja Besa ishte në qeveri me një ministri dhe dy zëvendës ministra doli nga qeveria, dhe kaloi në kampin opozitar atë shqiptar. E tani më veçse se ishin ndarë partitë politike shqiptare në dy blloqe ato në pushtet BDI dhe Alternativa dhe ato në opozitë Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa.
Por, së fundmi një vendim i opozitares maqedonase VMRO-DPMNE për ta bllokuar Kuvendin pas 10 majit duke kërkuar zgjedhje të parakohshme, ka krijuar huti te votuesit shqiptarë të cilët prisnin një koalicion të mundshëm mes Aleancës për Shqiptarët dhe Lëvizjes Besa në zgjedhjet e ardhshme parlamentare qofshin të parakohshme ose ato në kohë.
Ndaj vendimit për bllokadë të Kuvendit këto dy parti kanë qëndrime të ndryshme.
“Qëndrimi i Besës është shumë i qartë dhe ne e kemi përsëritur prej disa muajsh. Legjitimiteti i qeverisë kontestohet sepse mazhoranca u bë përmes deputetëve të shantazhuar dhe partive politike që brenda natës nga kritikët e qeverisë u bënë pjesë e qeverisë. Kjo përbërje e Qeverisë pasqyron keq menaxhimin e të gjitha institucioneve, ndaj është shumë e rëndësishme që zgjedhjet parlamentare të bëhen më shpejt, t’i kthehet legjitimiteti qytetarëve dhe ata të vendosin se kush duhet t’i përfaqësojë. Ne do të përdorim të gjitha mekanizmat e mundshëm për të provokuar sa më parë zgjedhje të parakohshme parlamentare”, kanë thanë nga Lëvizja BESA.
Ndërkaq nga Aleanca për Shqiptarët thonë që janë parti e pavarur dhe vendimet e tyre nuk varen nga partitë e tjera, janë për zgjedhje të parakohshme, por në kërkim të kësaj ata mendojnë se duhen alternativa tjera, për bllokadën në Kuvend thonë se do të dalin me qëndrim pas takimit me organet e partisë.
Mes tjerash ata theksojnë se kanë dorëzuar edhe dy propozim ligje në Kuvend dhe presin mbështetje edhe nga partitë tjera, njëri ka të bëjë me arsimin fillor dhe të mesëm për largim të asaj që mësimdhënësit që janë në grevë mund të zëvendësohen, dhe tjetri për lojërat e fatit.
Sigurisht që një vendim i kësaj partie që të mbështesë bllokadën në Kuvend do të ishte vendim që do të bllokonte edhe ligjet e tyre të propozuara që të kalojnë në votim.
“Kjo qeveri ka kohë që ka humbur kredibilitetin dhe legjitimitetin sepse jemi në kolaps gjithandej, shohim grevë, krizë ekonomike e varfëri të skajshme, dhe kjo gjendje kërkon zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Ne si parti politike kemi agjendën tonë të veprimit, ne e ruajmë pavarësinë e veprimit si subjekt politik. Jemi për zgjedhje të parakohshme por duhet menduar mënyrën se si të vijmë deri tek ato. Bllokadat nuk e dimë se çfarë precedent mund të krijojnë për të ardhmen dhe si mund ata të reflektojnë në funksionimin e shtetit në përgjithësi, ka deklaruar Ilire Dauti, deputete nga Aleanca për Shqiptarët.
Kujtojmë se dje përmes një komunikate për media, nga partia në pushtet LSDM, u shprehën se nuk do të lejojnë asnjë bllokadë të mundshme të kuvendit për interesa personale të asnjë figure politike.
Megjithatë nga VMRO thonë që më 10 maj do të ketë bllokadë aktive në Kuvend, dhe se tani kërkojnë nga LSDM dhe BDI të marrin në konsideratë propozimin e tyre për dialog të hapur dhe takim të liderëve për caktim të datës për zgjedhje të parakohshme.
Sepse sipas tyre VMRO ka më shumë kryetar komunash dhe më shumë deputet, prandaj vullneti popullit duhet vlerësuar.
Ndonëse shkohet në zgjedhje të parakohshme nuk ka shpresë nga qytetarët për ndryshime drastike, sepse janë dëshmitarë përgjatë viteve që edhe nga ndryshimet që kanë ardhur pas zgjedhjeve ka pasur vetëm ndryshim figurash jo edhe të situatës e gjendjes së rënduar në shtet.
Bllokada në Kuvend do të jetë e dëmshme sepse shteti është në krizë të shumëfish dhe me një Kuvend jo funksional kriza veçse thellohet edhe më shumë, shumë ligje të rëndësisë së qytetarëve nuk do të mund të votohen, me fjalë të tjera deputetët nuk janë aktiv e nuk punojnë edhe për faktin se janë të zgjedhur të punojnë e përfaqësojnë interesat e qytetarëve.
Kuvendi bllokohet kur qeveria është e arnuar me deputet të joshur për pushtet, e krijohet shumicë me pakicë që vetëm të qëndrojnë e të kenë pushtet, me fjalë të tjera vetëm qeveritë jo stabile mundësojnë bllokim Kuvendi e futje të vendit në krizë të shumëfish, në rrugë pa dalje./Zhurnal.mk

