LSM kërkon rritje sa më të shpejtë lineare të pagave, më 1 Maj organizon protestë sindikale
Shkup, 29 prill – Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë sot ju bëri thirrje të gjithë punëtorëve, sindikatave dhe organizatave joqeveritare që të përfshihen në protestën që do të mbahet më 1 Maj – Ditën Ndërkombëtare të Punës, ndërsa në të cilën do të kërkohet rritje lineare e pagave për 2.806 denarë.
Kryetari i LSM-së, Darko Dimovski sot në konferencë për media tha se analizat e sindikatës tregojnë se muajin e kaluar inflacioni është rritur për 8,8 për qind dhe se nëse sa më shpejtë nuk rriten pagat, inflacioni do ta “hajë” këtë rritje.
“Për këtë është kërkesa jonë për rritje të pagave prej 2.806 denarë sa më shpejtë, sepse e shohim se inflacioni çdo muaj është gjithnjë e më i madh dhe nëse këto para nuk i marrim sa më shpejtë ndoshta vlera e tyre muajin e ardhshëm do të jetë më e vogël”, tha Dimovski.
Ai shtoi se si sindikatë nuk liferojnë me përqindje, sepse përqindja për njërin punëtor nënkupton më pak, ndërsa për punëtor tjetër më shumë.
“LSM këtë 1 Maj nuk do të festojë, por do të protestojë. Që të festojmë na nevojiten para, ndërsa paratë na i hëngri inflacioni. Për këtë, të gjithë punëtorët, pensionistët, rinia të dalë bashkë dhe t’iu themi punëdhënësve pa dallim se a janë nga sektori privat ose nga sektori publik se na nevojitet rritje sa më e shpejtë e pagave. Ne nuk liferojmë me përqindje sepse përqindja nënkupton për njërin punëtor më pak, ndërsa për punëtorin tjetër më shumë. Intenca jonë si LSM është që t’iu ndihmojmë shtresave më të ulëta të punëtorëve me paga më të ulëta”, tha Dimovski.
LSM, theksoi Dimovski, nuk heq dorë as nga ajo që ta kthejë regresin për pushim vjetor në sektorin publik.
Sa i përket ngjarjeve me grevën në arsim dhe pakënaqësinë te një pjesë e anëtarësisë, Dimovski tha se i mbështesin punëtorët në arsim dhe ju bëri thirrje nëse duan t’i drejtohen LSM-së që të shihet se në çfarë baze greva është pezulluar.

