FNF: Krahas masave ndërhyrëse, të ketë edhe blerje për rezervat shtetërore të mallrave

Shkup, 29 prill – Bujqit konsiderojnë se masat ndërhyrëse do ta zbusin goditjen nga kriza ndaj prodhimtarisë, por nga Qeveria kërkojnë edhe ndihmë shtesë – të ketë blerje për rezervat shtetërore të mallrave.

Ata sot, para fillimit të mbledhjes së rregullt të Asamblesë vjetore të Federatës nacionale të fermerëve (FNF), thanë se çmimi do të jetë faktor kyç nga i cili do të varet nëse vendi do të ketë grurë vitin e ardhshëm.

Sipas bujqve, shpenzimet për prodhimtari rriten çdo ditë, në mënyrë enorme janë të larta çmimet e naftës, mjetet mbrojtëse dhe plehrat artificiale, ndërsa problem shtesë është edhe plasmani, sepse, për shkak të konfliktit ruso-ukrainas, janë mbyllur disa nga tregjet ekzistuese tradicionale.

Kryetarja e Federatës, Vaska Mojsovska tha se bujqit posaçërisht druajnë se si do të shkojë shitja e mollëve dhe rrushit, prodhime të cilat deri më tani, në pjesën më të madhe, plasohen në tregun rus dhe ukrainas.

Ajo shpreson se masat ndërhyrëse do të kenë efekt.

“Masat nga Fondi ndërhyrës janë sjellë para një periudhe të shkurtë, do të duhet të zbatohen tani. Shpresoj se do të kenë efekt. Gjithsesi, nevojiten akoma masa dhe mbështetje, por tani më me rëndësi është të mbillen të gjitha sipërfaqet. Është për keqardhje që nuk kemi mjaft grurë dhe që jemi të varur nga importi. Por, shpresojmë se përfundimisht do të kuptojmë sa është i rëndësishëm ushqimi dhe se do të lëvizim në atë drejtim, ta rrisim prodhimin e grurit, miellit, vajit,… Duhet vetëm të veprojmë në mënyrë të koordinuar dhe me debate dhe dëgjimin e të gjitha palëve të gjenden zgjidhje të përbashkëta”, nënvizoi kryetarja e FNF-së.

Mojsovska porositi se vendi duhet të ketë vizion për bujqësinë në 20 – 20 vitet e ardhshme dhe t’i mbajë të rinjtë në fshat.