SHBA po mendon për sanksione kundër Bullgarisë, shkak vetoja ndaj RMV-së

Shkup, 29 prill – Kongresmenja amerikane, Klaudia Teni, thotë se po mendohet për të formuar një koalicion me Capitoll Hill, i cili do të punonte në sanksione të mundshme kundër Bullgarisë, përshkak se nuk po e heqë veton për fillim të negociatave mes Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian, informon Zhurnal.

Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, kongresmenja nga Nju Jorku, tha se letra zyrtare që kongresmenët e kanë dërguar deri te ambasadori bullgar në Uashington, Tihomir Stojçev, nuk ka funksionuar, si dhe qëllimi i koalicionimit të tillë me anëtarë të Senatit dhe Shtëpisë Përfaqësuese, do të ishte për të nxitur Bullgarinë në dialog.

“Nëse mund të gjejmë ndonjë lloj të sanksioneve që do të ishin efektive për t’i sjellë në tavolinë, apo diçka që do të nxiste zgjidhjen e këtij konflikti dhe sjellje të pacipë, e cila mund të sjellë deri te agresioni dhe probleme në të ardmen në këtë rajon”, tha Teni.

Ajo shprehu brengosje që këto bisedime janë nën hijen e asaj që po ndodhë në Ukrainë dhe nuk janë aq seriozë sa duhet të jenë.

“Çështja bullgare ende qëndron e varur. Si duket duhet t’u japim shtytje për t’u kyçur në dialog, në bisedime dhe të minimizojmë përpjekjet e tyre për destabilizim të situatës prë të cilën duhet të gjejmë zgjidhje. Kjo ka ndikim negativ mbi pjesën tjetër të Ballkanit Perënidmor”, tha Teni.

E pyetur për të komentuar vizitën e delegacionit bullgar të kryesuar nga Kiril Petkov në hapjen e klubit bullgar “Vanço Mihajlov” në Manastir, ajo tha se është e zhgënjyer kur e sheh Bullgarinë të vazhdojë të veprojë dhe se është koha për veprime më agresive të SHBA-së në aspekt të presionit diplomatik mbi ta dhe t’i sjellë në tryezë.

“Fatkeqësisht, nuk mendoj se do ta marrim këtë nga administrata e Bajden. Ata nuk duken aq të interesuar për këtë rajon të botës, i cili mendoj se është një nga rajonet më kritike në botë. Ajo ka qenë gjithmonë një portë mes Lindjes dhe Perëndimit. Dhe është gjithmonë shumë, shumë e rëndësishme për ne si vend që të mbështesim aleatët e NATO-s në këtë rajon. Siç e dini, jo të gjithë janë aleatë të NATO-s dhe jo të gjithë janë në BE. Pra, ne kemi shumë histori dhe vite luftimesh në këtë rajon, tha Teni.

E pyetur nga Zëri i Amerikës nëse qasja e SHBA-së ndaj Ballkanit Perëndimor kishte ndryshuar që nga pushtimi rus i Ukrainës dhe nëse e sheh nevojën për integrim urgjent në BE për shkak të rreziqeve të sigurisë, ajo tha se shumë vende mbështeteshin në mbështetjen e SHBA-së si një aleat kyç.

“Mendoj se shumë nga këto vende janë të cenueshme. Dhe ata mbështeten në mbështetjen e SHBA-së si një aleat kyç. Ajo që tregon strategjinë e Ukrainës dhe situatën e Ukrainës me Rusinë është se sa e rëndësishme është që SHBA-ja të vazhdojnë të kenë një angazhim edhe më të fortë në Ballkanin Perëndimor, sepse ne nuk duam të shohim ndonjë skenar të ngjashëm të tmerrshëm në Ballkanin Perëndimor si ne shohim në Ukrainë,” tha kongresmenja Teni.