Fajnenshëll tajms: Importuesit më të mëdhenj të gazit në Evropë po përgatiten të paguajnë në rubla

Shkup, 28 prill – Importuesit më të mëdhenj të gazit në Evropë po përgatiten të bien dakord me një kërkesë të presidentit rus Vlladimir Putin për të paguar gazin në rubla ruse, raportoi “Fajnenshëll Tajms”.

Më herët, kryetarja e Komisionit Evropian Ursula fon der Lajen e quajti lëvizjen ruse një “shantazh”.

Disa nga kompanitë më të mëdha energjetike evropiane përgatiten të përdorin sistemin e ri për pagesë të gazit rus që e kërkon Kremlini. Kritikët thonë se një gjest i tillë do t’i minojë sanksionet evropiane ndaj Rusisë, si dhe unitetin e Bashkimit Evropian, dhe në fund do të lëshohen miliarda në ekonominë ruse.

“Fajnenshëll tajms” shkruan se shpërndarësit e mëdhenj të gazit në Gjermani, Austri, Hungari dhe Sllovaki planifikojnë të hapin llogari në rubla tek Gazprombank në Zvicër për ta plotësuar kërkesën e Rusisë për pagesën e gazit në rubla.

Ky grup përfshin dy importuesit më të mëdhenj të gazit rus – Uniper gjerman dhe OMV austriake.