Serbia do të harrohet nëse nuk përshtatet me Perëndimin
Ish ambasadori amerikan në Serbi, Cameron Munter, tërhoqi vërejtjen se qeveria serbe e tanishme që ka manovruar me baraspeshim mes perëndimit dhe lindjes nuk do të ketë durim pakufi në SHBA dhe Bruksel dhe Vucic duhet të ketë kujdes.
Munter në intervistë për Zërin e Amerikës komentoi vizitën e sotme të ndihmës Sekretares së Shtetit Amerikan, Karen Dunfried, dhe vizitën paraprake të senatorëve amerikanë javën e kaluar dhe synimin e tyre në takimet në Serbi.
Ai nuk ishte i mendimit se Dunfried ka ardhur që të shtrëngojë qeverinë serbe të zgjedhë një qasje apo tjetër dhe shtoi se tani për tani nuk mendon se ka vendim të tillë si në Uashington e as në Bruksel.
“Synimi i vizitës së saj është i shumanshëm. Nënkuptohen marrëdhënia mes Kosovës dhe Serbisë, poashtu korrupsioni, por dhe çështje të tjera të shumta. Mendoj se Karen Donfried nuk do të vijë thjeshtë në Beograd për t’i vënë përpara Aleksandar Vucic zgjedhjet për të bërë një gjë apo tjetër. Me aq sa e njoh unë, e mendoj se është një diplomate e shkëlqyer, ajo dhe Christopher Hill do të provojnë të kuptojnë se si mund të angazhojnë Serbinë në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe si të përfitojnë mbështetje gjeopolitike në rajon – që e kërkojnë në përpjekje për t’iu kundërvënë depërtimit rus dhe ndikimit kinez”.
Sa i përket temës më të nxehtë në Serbi, rreth sanksioneve ndaj Rusisë që Serbia refuzon t’i vendosë ai u tregua ca skeptik.
Sa i përket pyetjes nëse do të mund të fitojë mbështetjen e Aleksandar Vucic për sanksionet ndaj Rusisë…mendoj se do të jetë vështirë për t’u realizuar.”
Ai komentoi edhe qasjen e mundshme dhe ndryshimin e saj të mundshëm dhe faktorët që mund të shtyjnë të ndryshojë.
“Mendoj se kjo ende nuk është përcaktuar në Uashington dhe Bruksel Janë dy modele nëse mund të them: nëse keni synim anëtarësimin në ekipipn evropian duhet që të pajtoheni me atë që Evropa po përpiqet ta bëjë. Nëse nuk e bëni, tregoni se nuk jeni pjesë e ekipit. Poashtu, tërheqin vëmendjen edhe rezultatet e anketës sipas së cilës shumica e qytetarëve të Serbisë nuk e mbështesin hyrjen në Bashkimin Evropian –që është risi. Nëse vërtetë ekziston një trend i tillë – një prej zgjidhjeve do të ishte të jeni më të rreptë ndaj Serbisë. Por siç e përmenda më parë, mendoj se një vendim i tillë nuk është marrë. Duket se liderët në Uashington dhe Bruksel që në një farë forme simbole të të cilëve janë senatorët dhe Karen Donfries, po përpiqen të zbulojnë mënyra të përafrimit të pushtetit serb. Që disi të përshtaten me prioritetet e Bashkimit Evropian dhe NATO’s. Nuk mendoj se durimi i Perëndimit në këtë aspekt është i pakufishëm. Vucic dhe ekipi i tij duhet të jenë të kujdesshëm – pasi nëse mendojnë që baraspeshimi që po i përmbahen ndër vite mund të zgjasë pafundësisht- unë personalisht mendoj se nuk kanë të drejtë.”
Munter foli edhe për dy çështjet që kanë mbetur zvarrë në Serbi dhe nuk po përparojnë tash e sa kohë përkundër premtimeve. Sjellja para drejtësisë e vrasësve të vëllezërve Bytyqi, shtetasve amerikanë me prejardhje shqiptare dhe gjykimi për djegien e ambasadës amerikane në Beograd në vitin 2008. Ka nevojë për reforma të thella në sistemin e drejtësisë. Ai edhe këtu u shpreh skeptik se do të zgjidhet pasi nuk sheh gatishmëri në Serbi dhe nuk ka parë as sa ishte në shërbim.

