Kovaçevski: Zgjerimi i BE-së do ta rrisë sigurinë dhe do ta konsolidojë demokracinë

Shkup, 26 prill – Maqedonia e Veriut si anëtare e NATO-s tërësisht e harmonizoi politikën e vet të jashtme, i miratuam të gjitha vendimet, të harmonizuara me vendet anëtare të NATO-s dhe BE-së, sepse konsiderojmë se është me rëndësi të posaçme gjatë krizës ushtarake të përmasave të këtilla, të gjitha shtetet aleate të veprojnë të bashkuara dhe ta mbështesin Ukrainën.

Këtë e potencoi kryeministri Dimitar Kovaçevski duke folur për, siç tha, dy tema strategjike të interesit shtetëror, në mbledhjen e sotme tematike me rastin e 100 ditëve punë të kabinetit qeveritar.

Përkujtoi se në Samitin e jashtëzakonshëm të NATO-s e konfirmuam mbështetjen tonë për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, dhe, theksoi se “fuqishëm e dënojmë agresionin ushtarak rus, i cili, është i paprovokuar, i paarsyetuar dhe shkelje serioze e së drejtës ndërkombëtare”.

“Ne jemi NATO dhe së bashku me BE-në jemi të bashkuar në përgjigjen ndaj agresionit ushtarak të Rusisë dhe në mbështetje të Ukrainës”, tha Kovaçevski.

Theksoi se lufta në Ukrainë tregoi se politika e dyerve të hapura të NATO-s ishte sukses historik që siguron paqe të përhershme dhe siguri të tërë kontinentit evropian.

“në mënyrë analoge me atë konsideroj se zgjerimi i BE-së do ta rrisë sigurinë dhe do ta konsolidojë demokracinë dhe prandaj në të gjitha forumet dhe takimet me aleatët dhe partnerët tanë ndërkombëtarë cekëm se është me rëndësi të jashtëzakonshme për Maqedoninë e Veriut të fillojë negociata për inkuadrim në BE, pa shtyrje të mëtutjeshme”, tha Kovaçevski.

Me partnerët tanë në BE, shtoi, u harmonizuam se zgjerimi me Ballkanin Perëndimor, si asnjëherë më parë, është çështje gjeostrategjike. Këtë qëndrim, nënvizoi, e ndajnë vendet – anëtare të BE-së.

Kryeministri informoi se po punohet edhe në përkthimin e së drejtës së BE-së, po bëhen harmonizimet e domosdoshme me legjislaturën nacionale dhe dokumente të tjera që janë të rëndësishme që të jemi, tha, në rrugë të shpejtë, kur do të fillojnë negociatat për kapituj dhe për t’i mbyllur sa më parë të jetë e mundur.

Kovaçevski theksoi edhe se po punohet aktivisht në kontributin ndaj Raportit vjetor të Komisionit evropian, me ç’rast të gjitha dokumentet e parashtruara nga institucionet kompetente për saktësisht 39 kapituj, në pajtim me metodologjinë e re të KE-së, janë kontrolluar, përpunuar dhe kompiluar, ndërsa pas miratimit nga Qeveria, do t’i parashtrohen KE-së.

Sipas Kovaçevskit, lufta në Ukrainë na mundësoi që në praktikë të shohim se sa është i rëndësishëm për ne anëtarësimi në NATO.

“Siguria e shtetit është e garantuar dhe stabile, ndërsa Armata jonë po i zhvillon kapacitetet. Armata e RMV-së po arrin rezultate të larta”, tha mes tjerash Kovaçevski.

Shtoi se në pajtim me standardet e NATO-s vazhdojnë edhe investimet për kushte më të mira për secilin pjesëtar të Armatës, ndërsa në tre muajt e fundit, në mënyrë të rrjedhshme po realizohen dhe finalizohen shumë investime kapitale në objekte të armatës.

Kryeministri Kovaçevski foli për atë se është vendosur në gatishmëri të plotë operative sistemi për mbrojtje të integruar kundërajrore dhe raketore të NATO-s. Ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska, përkujtoi kryeministri, qëndroi në krye të trupit kooordinues për pjesëmarrje të Maqedonisë së Veriut në sistemin e NATO-s për përgjigje ndaj krizave, detyra e të cilit është koordinimi me institucionet vendore dhe aleatët nga NATO-ja për përballje me krizën momentale në tokën evropiane, pamundësimin e përhapjes së konfliktit në territorin e vendeve anëtare të NATO-s.

Lufta në Ukrainë, theksoi Kovaçevski, solli dhe hapi mjaft çështje lidhur me politikën e jashtme, që janë menaxhuar me sukses në periudhën e kaluar.

Në kushte të invazionit rus ndaj Ukrainës dhe sigurisë së çrregulluar evropiane, Kovaçevski, theksoi se vendi u radhit në anën e vërtetë të historisë, si dhe se nga Ukraina janë evakuuar mbi 90 për qind e mbi 120 qytetarëve tanë të cilët ishin lajmëruar për ndihmë për evakuim, e njëkohësisht në mënyrë të shpejtë dhe efikase u mundësua mbështetja e të gjithë qytetarëve ukrainas të cilët kërkuan strehim në Maqedoni të Veriut.