ASH: lojërat e fatit të zhvendosen në hotele me pesë yje

Shkup, 18 prill – Kryetari i Aleancës për Shqiptarët Zijadin Sela sot në Kuvend në një konferencë për media kumtoi se grupi i tyre parlamentar do të dorëzojë në Kuvend projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për lojërat e fatit, i cili parashikon lojërat e fatit të zhvendosen ekskluzivisht në hotele me pesë yje.

“Lojërat e fatit, kazinotë, bastoret sportive dhe të gjitha lojërat e tjera të fatit të zhvendosen ekskluzivisht në hotele me pesë yje. Ligji parashikon që këto ndryshime të hyjnë në fuqi pas një viti për t’u dhënë punonjësve kohë që këto kazino dhe lojëra të tjera të fatit t’i zhvendosin në hotele me pesë yje”, tha Sela, duke u bërë thirrje deputetëve nga të gjitha grupet parlamentare të shqyrtojnë ndryshimet dhe t’i mbështesin ato.

Propozimi tjetër në amendamentet e ligjit, tha Sela, është kufizimi i reklamimit të lojërave të fatit, i cili, siç theksoi, i jep kompetencë pushtetit lokal për të rregulluar këtë çështje.

“I japim të drejtë pushtetit lokal, sepse çdo biznes i paguan komunës tarifë prej 100 euro në vit. Ky ligj ndalon kazinotë dhe lojërat e fatit të reklamojnë më shumë se përmasat në ligj – 30 me 50 centimetra. Për çdo metër katror shtesë për të cilin do të reklamohen edhe në objektet ku do të vendosen dhe për bilbordet do të paguajnë dhe ato para do të shkojnë në një llogari të veçantë të komunës ku reklamohen. Për çdo metër katror do të paguhen minimumi 200 euro. Ne jemi për atë të bisedojmë edhe me aktorët tjerë politikë, deputetët”, tha lideri i ASH.

Sela deklaroi se janë të mendimit që ky kompensim të jetë edhe më i lartë, me qëllim që paratë të shkojnë për investime në sport, rininë dhe qytetarë me nevoja të veçanta.

Sela beson se zgjidhja largimi prej 500 metrave të lojëra të fatit nga institucionet arsimore dhe fetare nuk është zgjidhje, sepse do të thotë që këto kazino dhe objekte të lojërave të fatit të sillen në lagjet tona, në shtëpitë tona dhe kjo nuk e zgjidh problemin, por më shumë po komplikohet. Ai theksoi se Aleanca për Shqiptarët është për ndalimin e plotë të të gjitha lojërave të fatit, por, siç tha ai, nuk ka disponim për këtë nga të gjithë aktorët politikë./Zhurnal.mk