Zjarri te “Treska” është lokalizuar, sipas gjitha gjasave është shkaktuar me qëllim
Shkup, 14 prill – Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska sot pasdite deklaroi se zjarri te ish-fabrika “Treska”, sipas indikacioneve sipas gjitha gjasave është shkaktuar me qëllim.
Zjarri është lokalizuar, gati plotësisht është shuar dhe nuk paraqet rrezik.
“Ju njoftoj se zjarri është lokalizuar. Mund të them se ka pasur një reagim fantastik nga Brigada e Zjarrfikësve të Shkupit. Në zjarr kanë ndërhyrë 55 zjarrfikës. Nga të dhënat që kemi, ndoshta është një zjarr që ka nisur, siç më përmendi komandanti, me dyshimin se ka pasur persona që e kanë ndezur. Këto janë informacione që kemi marrë nga fqinjët që jetojnë direkt këtu, të cilët kanë parë se ka njerëz”, tha Arsovska, duke theksuar se duhet të ketë masa më të rrepta për ata që e kanë bërë këtë.
Theksoi se shpreson se institucionet do të ndërmarrin gjithçka që është në kompetencë të tyre që të mos lejohet që njerëzit të jenë në rrezik.
Duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve, Arsovska theksoi se sipas informacioneve të cilat i posedon ajo, bëhet fjalë për objekt që është në falimentim.
Komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve në Shkup, Xvonko Tomeski informoi se menjëherë kanë intervenuar me të të gjitha mjetet që i kanë në dispozicion. Theksoi se nuk ka zjarrfikës së lënduar.
Për shkakun e zjarrit, tha, do të konfirmojnë organet hetuese.
Paraprakisht, kryetari i Komunës Qendër, Goran Gerasimovski, i cili doli në teren, kreu mbikëqyrje dhe ndihmoi gjatë shuarjes së zjarrit, informoi se zjarri është lokalizuar dhe gati plotësisht është shuar, falë reagimit të shpejtë të kompetentëve.
Siç kumtoi Komuna Qendër, zjarrfikësit e kanë shuar zjarrin me dhjetë automjete, ndërsa Shtabi i Krizës Komunale së bashku me kryetarin Gerasimovski dhe ekipet e Kryqit të Kuq kanë ndihmuar zjarrfikësit.
“Së bashku me ekipet e Komunës Qendër mbetemi në terren, ndërsa Shtabi i krizës i përbërë nga përfaqësues të MPB-së, inspeksioneve të komunës dhe zjarrfikësve menjëherë ka mbajtur mbledhje. Shumë faleminderit të gjithëve për reagimin e shpejtë dhe efikas. Fatmirësisht në këtë aksident nuk ka persona të lënduar”, tha Gerasimovski.
Banorët dhe punonjësit e shitoreve të afërta, shtuan ata, janë evakuuar me kohë, ndërsa Gerasimovski apeloi tek qytetarët gjatë intervenimit që të shmangin bllokimet e krijuara në rrugët përreth

