Krasniqi: Kosova nuk ka politikë të jashtme, Gërvalla e papërvojë – sjellë vetëm skandale humoristike
Kryetari i Partisë Demokratike, Memli Krasniqi, në seancën e Kuvendit të Kosovës, ku po diskutohet për politikën e jashtme, ka kritikuar atë dhe tha se Kosova nuk ka fare politikë të jashtme, raporton Ekonomia Online.
“Është befasuese abstenimi i shumicës parlamentare për një çështje kaq të rëndësishme si politika e jashtme. Këtë nuk e kemi thirrur vetëm për skandalet e jashtme, por edhe për pezullimin e plotë të politikës së jashtme”, tha Krasniqi.
“Kushdo që sheh drejt e kupton që sot po zhvillohet momentum i ri gjeopolitik. Fatkeqësisht, përkundër dëshirave të Kryeministrit, Presidentes, zëvendëskryeministrave, Kosova sot nuk ka politikë të jashtme, ka abstenuar totalisht. Nuk ka kurrëfarë qëndrimi. Kjo na bën të qartë mungesën e një agjende politike. Ministrja Gërvalla është jo kompetente, e papërvojë, ka sjellë vetëm skandale humoristike”, u shpreh Krasniqi.
Krasniqi ka kritikuar po ashtu, siç tha ai, “veprimet e politikanëve në pushtet, me hashtag, që tregojnë joseriozitet”.
“Kosova sot nuk anëtarësohet as në NATO as në BE, përmes hashtagave”, tha Krasniqi.

