Gjuha shqipe ka rrënjë shqiptare, nuk ka rrënjë bullgare, prandaj nuk është e rrezikshme

Shkup, 12 prill – Sipas disa akademikëve dhe ish politikaneve maqedonas ,”gjuha shqipe është e rrezikshme”, është interesante se pikërisht gjuha me të cilën flitet se gjuha shqipe është e rrezikshme, është e rrezikshme. Pra, në gjuhë maqedonase thuhet se gjuha shqipe paraqet rrezik, harrojnë që gjuha maqedonase po bllokon edhe procesin euro-integrues të vendit, duke qenë pjesë e diskutimit në tavolinë mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, shkruan Zhurnal.mk.

Sofja ka shprehur qëndrimin se marrëveshja për fqinjësi të mirë nuk po zbatohet nga pala maqedonase, në pjesën që kishte të bënte me aspektet historike, ndërsa zyrtarët bullgarë paraqitën dhe kërkesa tjera për gjuhën dhe identitetin duke kërkuar nga pala maqedonase të pranojë se ato kanë “rrënjë bullgare” dhe se “maqedonasit dhe gjuha e tyre para vitit 1944 kanë qenë bullgare”.

Se gjuha shqipe nuk është e rrezikshme e dëshmon fakti se deri më tani në asnjë proces gjeo-strategjik të vendit nuk ka qenë pengesë. Pra, nuk i pengon askujt sepse nuk është e askujt tjetër përpos e shqiptarëve dhe rrënjët e gjuhës shqipe janë të shqiptarëve.

Por tani predispozitat janë shumë të larta që në rast të arritjes të një marrëveshje me Bullgarinë, e cila është e patjetërsueshme për vendin tonë, sepse kjo hap rrugë për marrjen e datës për fillim të negociatave, të hapet Kushtetuta e vendit dhe në të të vendoset populli bullgar ashtu siç e kërkon Bullgaria.

Por, kjo hapje e Kushtetutës nuk do të mbyllet vetëm me këtë ndryshim sepse shqiptarët po kërkojnë të fshihet edhe formula “gjuha që e flasin së paku 20% e popullsisë”, e cila buron nga marrëveshja e Ohrit, të ndryshohet me Gjuha Shqipe, pra, është gjuhë dhe nuk është përqindje.

Për heqjen e 20% – it nuk është kundër as Hristijan Mickoski lideri i partisë më të madhe opozitare në vend VMRO-DPMNE, kështu që, pritshmëritë që kjo të ndodhë janë të mëdha.

Por përpos të gjitha partive politike shqiptare dhe atyre maqedonase që janë pro këtij ndryshimi të duhur e shumë të nevojshëm, madje edhe të domosdoshëm pas publikimit të rezultateve të regjistrimit, ku shqiptarët nuk janë 20% as 24%, por janë 29.50%, sepse edhe ata qytetarët jo rezident kur të vijnë në shtëpitë e tyre këtu në Maqedoninë e Veriut kanë nevojë që gjuha shqipe gjuha amtare e tyre të jetë e aplikuar në formën e duhur, e pa u identifikuar me një përqindje.

Numri 20% nuk gjendet askund tjetër pos në Kushtetutë, në rezultatet e regjistrimit numër tjetër figuron 29.50%, populli shqiptar është popull shtetformues dhe nuk është numër, ngjashëm sikurse gjuha shqipe që është gjuhë dhe nuk është përqindje.

Ka edhe të atillë që gjuhën shqipe e shohin si të rrezikshme, është fjala për ish kryetarin e Kuvendit në RMV, Tito Petkovski, i cili shprehet se zyrtarizimi i gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në gjithë Maqedoninë e Veriut, mund të jetë gjë e rrezikshme.

“Formulimi i 20% praktikisht është rezultat i ndryshimeve të Kushtetutës në vitin 2001, ndërsa nëse doni të jem më preciz, pikërisht kjo ishte shkaku i konfliktit në vitin 2001. Shqiptarët nuk dëshiruan të jenë pakicë në Maqedoni por popull shtetformues. Për këtë, pas përfundimit të krizës dhe me hapjen e Kushtetutës, ishte vendosur që shqiptarët të jenë bashkësi etnike e cila do të gëzojë të drejta shumë më të mëdha krahasuar me bashkësitë tjera, gjegjësisht të jenë të barabartë me maqedonasit. E kështu, mund të ndodhë që shqiptarët më ndryshe ta kuptojnë hapjen e re të Kushtetutës dhe largimin e kuotës. Kuptimi i deklaratës së Hristijan Mickoskit mund të llogaritet si qëllim mirë vetëm nëse ka të bëjë që shqiptarët të mos gëzojnë të drejta më të mëdha nga bashkësitë tjera në vend. Por, nëse ka të bëjë me atë që gjuha shqipe të jetë zyrtare në gjithë territorin e vendit, pa dallim sa shqiptarë jetojnë në atë vend, kjo definitivisht do të jetë problem”, ka deklaruar Petkovski për Plusinfo.

Ai shkon edhe tutje duke thënë se hapja e Kushtetutës mund të shkaktojë edhe destabilizim të vendit duke shkaktuar konflikte ndëretnike.

“Hapja e Kushtetutës praktikisht paraqet kutinë e Pandorës dhe kjo mund të shkaktojë konflikte ndërkombëtare të cilat askush prej neve nuk mund të parasheh se në çfarë drejtimi mund ët shkojnë. Hapja e Kushtetutës dhe heqja e kuotës mund të sjellë destabilizim të marrëdhënieve ndëretnike në Maqedoninë e Veriut”, tha ai.

Ngjashëm ditë më parë edhe disa akademik maqedonas duke komentuar rezultatet e regjistrim kanë shprehur ndjenjat e tyre antishqiptare.

Pra, edhe në vitin 2022 akademikë maqedonas hapur e shprehin pakënaqësinë për faktin që shqiptarët rezultuan shumë më tepër nga ajo që ata kishin pritur, nga rezultatet e regjistrimit të popullsisë.

Akademiku maqedonas Bozhin Pavlovski, i cili jeton dhe punon në Australi, në një deklaratë për një portal maqedonas ka thënë se diaspora asnjëherë më parë nuk është përfshirë në regjistrimet e popullsisë të Republikës së Maqedonisë.

Për Katica Qulavkovën, po ashtu anëtare e Akademisë maqedonase të Shkencave dhe Arteve, ky regjistrim është një tjetër tregues se maqedonasit janë ‘në fazën përfundimtare, terminale, të shuarjes së shtetit kombëtar maqedonas dhe të delegjitimimit të kombit maqedonas.

Mbi këtë çështje ka folur edhe kryeministri vendit Dimitar Kovaçevski, i cili ka shprehur optimizmin e tij duke thënë se ka bazë që të hapet kushtetuta për heqjen e 20%-shit, temë kjo e cila u aktualizua pas publikimit të rezultateve të regjistrimit të popullsisë. Kovaçevski vlerësoi se së pari duhet të nisë diskutimi në mes partive politike.

Partitë politike shqiptare janë në të njëjtit mendim se termi 20% duhet të hiqet nga kushtetuta.

Por, ajo që ata thonë në mënyrë deklarative tani është momenti ta dëshmojnë praktikisht, në inicimin e kërkesës, sigurisht edhe dakordimi me partitë politike maqedonase të cilët pa këto parti shqiptare as njëra e as tjetra nuk mund të bëjnë qeveri.

Pra, vullnet ka sepse nuk flitet për realizim dëshirash por për përmirësim diskriminimesh që bëhen me vite të tëra, prandaj të dëshmohet ai vullnet duke krijuar shumicën e nevojshme.

Gjuha shqipe është gjuhë e ëmbël, prandaj nuk duhet të krijojë ashpërsim ndaj askujt me askënd, por bashkim e dakordim që edhe popolli shtetformues mos të ndjehen të përjashtuar duke u identifikuar me përqindje.

Dhe, kjo po dëshmon qartazi se gjuha shqipe nuk është dhe nuk paraqet kurrfarë rreziku për vendin, por janë pikërisht ata persona që e shohin të rrezikshme gjuhën shqipe shpërfaqin ndjenjat e tyre diskriminuese e shtypëse, nuk përballojnë dot drejtësinë./Zhurnal.mk