Talibanët i trajtojnë në burgje të varurit nga droga   

Një nga lëvizjet e para të talibanëve, pasi kanë marrë pushtetin në Afganistan në gusht të vitit të kaluar, ka qenë ndërmarrja e masave ekstreme për trajtimin e epidemisë së drogës.

Mijëra të varur nga lëndët narkotike janë rrahur dhe dërguar në burg, në qelitë e të dënuarve për krime të rënda.

Por, Dawoodi, një i varur nga droga, i cili është arrestuar bashkë me qindra të tjerë në provincën jugperëndimore Farah, thotë se metodat e ashpra që ka përdorur burgu, nuk kanë qenë të efektshme.

Ai është liruar para dy muajve, por thotë se pak javë pas lirimit, ka nisur sërish të marrë drogë.

“Kam dhjetë vjet që vuaj nga kjo sëmundje. Qeveria e talibanëve më ka dërguar në burg, por trajtimi nuk ka funksionuar”, ka thënë ai për Shërbimin e Afganistanit të Radios Evropa e Lirë.

“Dua të shkoj në një qendër rehabilitimi, sepse aty ofrojnë trajtim më të mirë”, është shprehur ai.

Në Afganistan jetojnë rreth 3.5 milionë njerëz të varur nga droga. Kjo shifër përbën gati 10 për qind të popullsisë.

Atje ka pasur rreth 100 qendra trajtimi përpara se talibanët – grup islamik i linjës së ashpër – të ktheheshin në pushtet në muajin gusht, por shumë prej tyre, që janë varur nga financimi i huaj, janë mbyllur ose mezi mbeten të hapura.

Drogat kryesore që përdoren në Afganistan, janë opioidet që dalin nga lulëkuqet e opiumit. Këto lule vazhdimisht kultivohen, pavarësisht përpjekjeve për t’i çrrënjosur dhe për të mbjellë kultura alternative.

Por, përveç heroinës dhe morfinës, një numër në rritje i afganëve tani janë të lidhur edhe me atë që njihet si met kristal. Tregtarët e drogës kanë mësuar ta prodhojnë atë nga bima efedra që rritet në male.

Talibanët kanë ndaluar kultivimin e opiumit në vitet 2000-2001, para se të rrëzoheshin nga pushteti, si pasojë e pushtimit të huaj.

Por, gjatë dy dekadave të ardhshme të luftës, grupi ekstremist është akuzuar për financimin e kryengritjes së tij me të ardhurat nga prodhimi i opiumit.

Sot, Afganistani njihet si prodhuesi kryesor në botë i opiumit, duke gjeneruar deri në 2.7 miliardë dollarë në vitin 2021.