Punëtorët arsimorë paralajmrojnë grevë

Sipas agjendës legjislative, Projektligji për paga është paraparë që me 31 mars të jetë në Kuvend, por kjo nuk ka ndodhur, madje as nuk dihet se kur do të shkojë në Kuvend për miratim. Por, Sindikata e Arsimit ka paralajmëruar se nëse deri me 20 prill Qeveria nuk merr ndonjë vendim lidhur me këtë projektligj, atëherë punëtorët arsimorë do të hyjnë në grevë.

Nëse deri me 20 prill Qeveria nuk merr ndonjë vendim për ligjin e pagave, atëherë punëtorët arsimorë do të hyjnë në greva e protesta. Kështu ka deklaruar për Radio Kosovën kryetari i Sindikatës së Arsimit, Rrahman Jasharaj. Ai ka theksuar se edhe vetë ata  nuk janë të interesuar për greva, por heshtja e Qeverisë ndaj kërkesës se tyre, po i shtynë të hyjnë në greva.

 “Pas 20 prillit sistemi arsimor do të përballet me greva. Këtë nuk e dëshirojmë dhe urojmë të mos ndodh, por nëse Qeveria vazhdon më qasje të tillë ndaj sindikatave dhe me një heshtje ndaj kërkesave të tyre, atëherë me keqardhje po them, do të kemi greva në sistemin arsimor.”

Ndërkaq, Atëdhe Hykolli, kryetar i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, ka thënë se edhe pse kanë qenë pjesë e Komisionit për hartimin e projektligjit të pagave, ende nuk kanë marrë asnjë version të ligjit për paga.

“Ligji i pagave ende nuk ka dalë nga Qeveria, ata thonë se e kanë gati dhe shpejt pritet të dalë, por ne nuk kemi asnjë version për momentin, ani pse ne si BSPK kemi qenë pjesë e Komisionit për hartimin e këtij projektligji.”

Radio Kosova ka bërë përpjekje të shumta që të marrë një përgjigje nga Qeveria se në çfarë faze është hartimi i projektligjit për paga, por ata nuk janë përgjigjur. Ndërkohë, Ligji i Pagave nëpërmjet të cilit pritet të rregullohen pagat në Sektorin Publik, nuk u miratua në Kuvend gjatë muajit mars ashtu siç është paraparë në agjendën legjislative dhe ende nuk dihet se kur mund të shkojë për miratim në qeveri e pastaj në Kuvend.