Vdekja e hendbollistit kroat 27-vjeçar Denis Toth si pasojë e dhunës, dy të arrestuar, një në kërkim
Shkup, 9 Prill – Vdekje e dhunshme. Mjekët e Mjekësisë Ligjore i kanë zgjidhur dilemat në opinion, pasi nga autopsia ka rezultuar se një goditje në kokë, gjegjësisht lëndim në tru ka qenë shkak për vdekjen e hendbollistit 27-vjeçar nga Kroacia, Denis Toth, i cili vdiq dje në mëngjes në klinikat e Shkupit.
Për këtë konfirmim kemi marrë edhe nga Prokuroria e Shkupit, të cilët tashmë janë njoftuar gojarisht dhe janë në pritje të dokumentacionit të plotë për hapjen e rastit. Kualifikimi i krimit do të varet nga provat, nëse do të jetë vrasje apo dhunë me pasoja fatale.
Të përfshirë janë tre persona, dy prej të cilëve, një djalë dhe një vajzë, tashmë janë ndaluar dhe i treti është në arrati. Për rastin janë siguruar edhe video, ku shihet se tashmë i ndjeri dhe pjesëmarrësit e tjerë në sherr ndodheshin në të njëjtën shoqëri në një lokal nate në park.
Kur ata u larguan, u përleshën, pas së cilës Toth ra pa ndjenja dhe të tjerët u larguan.
Trupi i hendbollistit të ri është parë nga një prej punonjësve në diskotekë dhe menjëherë ka lajmëruar ambulancën.

