Llokvenec: Ndërtimi i hekurudhave nënkupton ndërtim të historisë

Negotinë, 9 prill – Ndërtimi i hekurudhave nënkupton ndërtim të historisë, deklaroi sot drejtori i Ndërmarrjes Publike për Infrastrukturë Hekurudhore “Hekurudhat e RMV-së”, Hari Llokvenec, e mbajtur nën urën e stacionit hekurudhor në Negotinë.

Llokvenec përkujtoi se më 9 prill të vitit të largët 1873, treni i parë ka mbërritur në stacionin hekurudhor në Veles dhe atëherë ka filluar lidhja e Maqedonisë me pjesën tjetër të botës.

“Për këtë, më lejoni t’i falënderoj edhe të gjithë veteranët dhe të punësuarit e tanishëm dhe tua uroj 9 prillin – Ditën e Hekurudhave të Maqedonisë së Veriut. Me punë të përkushtuar dhe këmbëngulje, do t’i tejkalojmë të gjitha sfidat. Vitin e ardhshëm do ta shënojmë jubileun tonë të madh 150 vjet me realizim të projekteve të rëndësishme, sepse ne nuk premtojmë bosh, por realizojmë”, shtoi ai.

Llokvenec foli edhe për prioritetet e “Hekurudhave” të Maqedonisë së Veriut.

“Prioriteti ynë numër një është ndërtimi i Korridorit 8 në pjesën lindore dhe perëndimore, në mënyrë që qytetarët dhe ekonomia të kenë qasje hekurudhore nga Deti i Zi dhe Deti Adriatik. E njëjta më tej përforcon arsyetimin dhe përfitimet e këtij projekti si për Republikën e Maqedonisë së Veriut, ashtu edhe për rajonin në tërësi. Pas disa javësh do të nënshkruajmë kontratën me kontraktorin e ri, pas çka do të fillojë ndërtimi i hekurudhës për në Bullgari, pas realizimit të së cilës, dy kombet dhe të dy vendet do të kenë një numër të madh mundësish të begata për bashkëpunim të ndërsjellë . Me këtë fillojmë me realizimin e dëshirës dhe nevojës tridhjetëvjeçare të qytetarëve”, informoi drejtori.

Ai tha se sivjet Dita e Hekurudhave festohet në atmosferë pune, duke theksuar se edhe sot shqyrtohet kapaciteti i urave hekurudhore me ngarkesë statike dhe dinamike dhe bëhen ekzaminimet më moderne në bashkëpunim me profesorët nga fakultetet ndërtimore në Shkup dhe Lubjanë, ndërsa me qëllim të rritjes së sigurisë hekurudhore.

Ai paralajmëroi edhe se vitin e ardhshëm do të hapet Muzeu i Hekurudhave të Maqedonisë së Veriut.

“Do të hapet Muzeu i parë i Hekurudhave të Maqedonisë së Veriut, me qëllim të shënimit dinjitoz të 150 vjetorit të Hekurudhave të Maqedonisë së Veriut dhe themelimit të muzeut të parë historiko-teknik në vendin tonë, i cili do të funksionojë si pjesë përbërëse e Ndërmarrjes Publike dhe përgjithmonë do të dëshmojë për historinë 150-vjeçare të hekurudhës së Maqedonisë së Veriut, zbuloi ai, duke uruar festën si nip i një punëtori të hekurudhave.